Sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula, ishte sot misafire në Komunën e Çairit, ku u prit nga kryetari Izet Mexhiti, njëherësh edhe njëri nga liderët e koalicionit qeverisës VLEN. Mexhiti u shpreh i nderuar për praninë e artistes së nivelit ndërkombëtar, e cila ka shkëlqyer në skenat më prestigjioze të operës në botë, duke ngjallur emocion, admirim dhe krenari tek publiku shqiptar kudo.
Takimin e pasuroi edhe prezenca e sopranos së afirmuar Dëshira Ahmeti Kërliu, një artiste që po lë gjurmë të rëndësishme në skenën operistike shqiptare me interpretimet e saj të fuqishme dhe energjinë e veçantë artistike.
Të dyja artistet do të ngjiten në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit këtë të premte, në kuadër të koncertit gala kushtuar Festës së 28 Nëntorit. Mbrëmja premton një përjetim të paharrueshëm për publikun, me një program të pasur që sjell magjinë e operës dhe bukurinë e muzikës në nder të kësaj dite të shënuar kombëtare.


