21
Zëvendëskryeministri i parë shqiptarë, njëherit kandidat për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti, kanë shprehur vendosmërinë e tij për të sjellë një drejtim të ri politik dhe zhvillimor për këtë komunë të rëndësishme të Shkupit.
Gjatë një takimi me shtabin zgjedhor, Mexhiti e përshkroi Çairin si “energji që nuk mund të ndalet”, duke theksuar se ky është një territor që përfaqëson krenarinë e qytetit dhe i cili nuk pranon pazare të ulëta apo njolla të vendosura nga “duar të pista”.
“Çairi gjithmonë ka qenë simbol i dinjitetit dhe vendosmërisë së qytetarëve të tij. Asnjëherë nuk ka pranuar të shitet apo të përdoret për interesa të ngushta politike. Ky është momenti për të hapur një kapitull të ri, një fitore të re që i përket të gjithë qytetarëve,” tha Mexhiti.
Nga ana tjetër, Shef i Shtabit Besim Koka, u shpreh i bindur se Izet Mexhiti do të sjellë ndryshime pozitive dhe konkrete për jetën e përditshme të qytetarëve.
“Çairi është shtëpia jonë e madhe dhe ne kemi detyrimin moral dhe politik që ta çojmë përpara. Do të punojmë me ndershmëri, transparencë dhe me një vizion modern për ta bërë Çairin në model zhvillimi,” deklaroi Koka.
Takimi me shtabin zgjedhor u vlerësua si një nisje e fuqishme e fushatës, duke përcjellë mesazhin se Çairi mbetet bastioni i qëndresës dhe i fitoreve politike për VLEN-in.


