Kryetari i Komunës së Çairit, njëherësh edhe një nga liderët e koalicionit qeverisës VLEN, Izet Mexhiti, ka pritur në takim Kryesinë e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), në një vizitë urimi për marrjen e funksionit dhe konfirmim të vazhdimit të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Gjatë takimit u diskutua për hapat e ardhshëm, idetë e përbashkëta dhe mekanizmat për mbështetjen e bizneseve lokale në rritjen e tyre. Mexhiti theksoi se energjia pozitive dhe vullneti për bashkëpunim ishin të dukshme nga të gjithë pjesëmarrësit, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit mes Komunës së Çairit dhe OEMVP-së.
Mexhiti bëri të ditur se në periudhën në vijim bashkëpunimi do të thellohet përmes projekteve konkrete dhe mbështetjes më të madhe për sipërmarrësit, me synimin që ekonomia vendore të zhvillohet me ritmin e duhur dhe të merituar.


