Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar në komunën e Çairit, Bujar Osmani nuk ka të drejtë morale të flasë për ndërtime ilegale, pasi që ai vetë jeton në një objekt të tillë. Këto akuza i ka lëshuar kandidati i koalicionit qeverisës VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në një intervistë për emisionin “RISHTAZI” përballë gazetarit Nazim Rashidi në gazetën Koha.
“Bujar Osmani nuk ka të drejtë morale të fletë për ndërtime ilegale kur vetë ai jeton në një ndërtim të egër. Nëse flasim për legalizim të objektit të tij, atëherë çfarë i bie, çfarë ka legalizuar Bujar Osmani”, ka deklaruar Mexhiti.
Sipas Mexhitit kjo është një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Osmanit, i cili kohët e fundit ka artikuluar kritika në drejtim të menaxhimit urban dhe ndërtimeve në komunën e Çairit. Mexhiti gjithashtu ka thënë se qytetarët e Çairit tashmë i njohin mirë standardet e dyfishta dhe hipokrizinë e BDI-së që flasin për ligje dhe moral, ndërkohë që vetë janë shembull i shkeljes së tyre.


