“Kur flitet për ndërtimet pa leje në Çair, tashmë të gjithë e kanë të qartë pse nuk flasin eksponentë të Bashkimit Demokratik për Integrim. Edhe vetë kandidati i tyre për Çairin, ish ministri i Jashtëm Bujar Osmani jeton në objekt të ndërtuar pa leje dhe prandaj ai nuk ka mundësi morale të flasë në këtë temë.”
Me këtë deklaratë të drejtpërdrejtë, zëvendëskryeministri i parë dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka shpërthyer me kritika ndaj BDI-së dhe kandidatit të saj të përfolur për komunën e Çairit, Bujar Osmani.
I ftuar në “Vetëm Lajme” në Televizionin Kanal 5, Mexhiti tha se heshtja e BDI-së përballë akuzave për ndërtime pa leje në Çair nuk është rastësore, por e qëllimshme.
Sipas Mexhitit, e gjithë struktura e BDI-së është fshehur pas fushatës nacionaliste dhe përçarëse të kryetares së Shkupit, Danella Arsovska.
“E gjithë BDI-ja janë fshehur pas Danella Arsovskës dhe fushatës së saj të zezë kundër Çairit”, është shprehur Mexhiti.
Deklaratat e Mexhitit shënojnë një tjetër përplasje të ashpër në prag të zgjedhjeve lokale, ku Çairi pritet të jetë një nga betejat më të forta politike mes VLEN-it dhe BDI-së.


