Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se ndikimi i madh ekonomik dhe politik i miliarderit Elon Musk mund të përbëjë rrezik për shtetet e vogla. Në një intervistë për emisionin gjerman “ZDF Magazin Royale”, ai kritikoi komentet e Musk për politikën në vende të tjera, duke theksuar se një person me kaq shumë pushtet ekonomik nuk duhet të ndikojë në çështje të tilla.
Zelensky shprehu gjithashtu shpresën se forcimi i demokratëve në Kongresin amerikan do të sjellë më shumë ndihmë ushtarake dhe financiare për Ukrainën, duke ushtruar presion mbi Vladimir Putinin për të negociuar paqen.
Ai zbuloi se i kishte propozuar Uashingtonit të ndërmjetësonte një armëpushim dimëror me Moskën, i cili do të garantonte furnizimin me energji elektrike dhe ujë për qytetarët, si dhe do të krijonte kushte për mbajtjen e zgjedhjeve. Megjithatë, Zelensky e cilësoi të padrejtë organizimin e zgjedhjeve në kushtet aktuale, pasi miliona ukrainas jashtë vendit, në territoret e pushtuara dhe në frontin e luftës nuk do të mund të votonin.
“Putini nuk dëshiron t’i japë fund luftës”, deklaroi presidenti ukrainas, duke përsëritur se Moska nuk pranon armëpushimin. Ai kërkoi gjithashtu që Gjermania të furnizojë Ukrainën me raketat Taurus, të cilat sipas tij do të ndihmonin në shkatërrimin e lëshuesve të raketave balistike ruse.
Burimi: botasot.info


