Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.
Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme. PDK-ja zuri vendin e dytë me 24 ulëse, LDK e treta me 20, AAK-Nisma 8 dhe Lista Serbe 9.
Përkundër shumë seancave, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur ende ta konstituojnë institucionin ligjvënës.
E së fundmi është Gjykata Kushtetuese ajo e cila iu ka dhënë ultimatum deputetëve për të konstituar Kuvendin brenda 30 ditëve.
Në vazhdën e kësaj situate së fundmi takime me liderët politikë ka mbajtur presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të cilat rezultuan gjithashtu pa ndikim.
Është presidentja e njëjta e cila gjatë ditës së premte në një prononcim të shkurt për media ka folur për këtë situatë.
Osmani theksoi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetueses nëse nuk konstituohet Kuvendi së shpejti, duke thënë se moskryerja e këtij detyrimi “nuk mund të kalojë pa pasoja”.
“Pra, do të ketë pasoja juridike”, tha ajo.
Osmani, ka thënë se ekipi i saj ligjor ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e përjashton mundësinë e votimit të fshehtë për kryetar të Kuvendit të Kosovës, por për këtë nevojitet pajtueshmëri nga të gjithë deputetët paraprakisht.
Bajraktari: Janë subjektet politike ato që duhet të reflektojnë, në drejtim të konstituimit të Kuvendit
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Ardian Bajraktari.

Avokati thekson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese dhe moszbatimi i tyre, edhe pa pasoja juridike të menjëhershme, dëmton demokracinë.
“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim, këtë e përcakton neni 116 i Kushtetutës. Pavarësisht mungesës së pasojave juridike direkte, kjo është tejet e dëmshme për nivelin e demokracisë. Andaj shpresoj në reflektim, duke uruar po ashtu që Gjykata Kushtetuese të dal me vendim të ri, në raport me kërkesat që tashme i janë drejtuar nga subjektet politike përkitazi me veprimet, me theks të veçantë veprimet pas publikimit të aktgjykimit”, u shpreh ai.
Tutje, avokati potencon që Presidentja, përmes deklarimeve dhe takimeve me subjektet politike, po përpiqet të ndihmojë në tejkalimin e situatës, brenda kompetencave të saj, por thekson se përgjegjësia kryesore për konstituimin e Kuvendit bie mbi subjektin politik me më së shumti deputetë.
“Deklarimet, por edhe takimet e Presidentes me subjektet politike i vlerësoj si tentim të tejkalimit të kësaj situate, është brenda detyrave dhe përgjegjësive të sajë, pavarësisht se Presidentja nuk ka rol aktiv në këtë fazë të procesit.
Janë subjektet politike ato që duhet të reflektojnë, në drejtim të konstituimit të Kuvendit, e në këtë fazë barrën dhe përgjegjësinë e ka subjekti politik me numër më të madh të deputetëve”, foli Bajraktari për “Bota sot”.
Zogaj: Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës edhe pas 41 seancave, është turpi më bizar

Ndërsa, publicisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha moskonstituimi i Kuvendit pas 41 seancash paraqet një dështim të rëndë politik që, sipas autorit, turpëron Kosovën dhe përforcon narrativat serbe, ndërsa përpjekjet e Presidentes për zgjidhje përballen me papjekurinë e liderëve politikë.
“Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës edhe pas 41 seancave, është turpi më bizar që po i ndodh historisë së re të shqiptarëve të Kosovës, të cilët po i vërtetojnë tezat e Serbisë për – shqiptarët që nuk janë të denjë për t’u vetqeverisur, sepse janë njerëz të egër, të pacivilizuar dhe që nuk dinë të krijojnë shtet me vetorganizim!!! Prandaj nuk e meritojnë që të jenë të pavarur.
Këtë po e vërteton nomenklatura e dalur nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, e cila po kalon gjysmë viti dhe nuk po mundet të konstituojë Kuvendin!
Presidentja Vjosa Osmani, duke pa rrezikun që po i kanoset vendit, ka ndërmjetësuar, por siç po shihet, ka në përballje primitivizmin e liderëve politikë, të cilët nuk ka dritë që ua heq verbësinë trunore”, shpjegon ai.
Publicisti paralajmëron se dështimi për konstituimin e Kuvendit brenda afatit ligjor rrezikon ta çojë Kosovën në një krizë të thellë institucionale, që do të thotë shuarje e legjislaturës dhe humbje e legjitimitetit të Qeverisë, duke e kthyer vendin në pikën zero.
“Takimet me liderët nuk kanë dhënë rezultat dhe tashmë rrokullisja e gurit po i afrohet fundit të greminës! Deklarata e Presidentes Osmani është halli që ajo ka dhe që po apelon për domosdoshmërinë urgjente të konstituimit të Kuvendit, duke paralajmëruar rrezikun! Kjo deklatatë duhet të kuptohet shumë seriozisht, sepse Kosova është shumë afër rrezikut fatal. Nëse deputetët brenda afatit ligjor prej 30 ditësh nuk e arrijnë zgjidhjen, pasojat janë të rënda dhe afatgjata!
Konkretisht: nëse deputetët nuk e konstituojnë Kuvendin brenda afatit ligjor, kjo nënkupton vetsuprimimin e kësaj legjislature, por edhe suprimimin e Kuvendit të Kosovës. Nëse kjo ndodhë, gjithçka duhet ta fillojë nga e para, sikurse zanafilla parlamentare pas shpalljes së pavarësisë! Kështu sepse e gjithë nomenklatura ligjshmërisht është e anuluar për shkak të mosrealizimit të përgjegjësive të saja kushtetuese. E njëjta gjë ndodhë me Qeverinë, e cila në mungesë të Kuvendit valid, ligjor, e humb legjitimitetin funksional”, thotë publicisti.
Në fund, ai nënvizon që vonesa në konstituimin e Kuvendit përbën një “vdekje klinike” legjislative me pasoja të rënda politike e diplomatike, ndaj shqetësimi i Presidentes duhet marrë seriozisht dhe të veprohet urgjentisht për të zbutur pasojat e pashmangshme.
“Përvoja demokratike bashkëkohore tregon se, gjendja aktuale rreth vonesës së konstituimit të Kuvendit të Kosovës paraqet “vdekje klinike” legjislative, nga e cila rrjedhin edhe pasojat e tjera të rënda politike e diplomatike, sepse, kjo është një situatë “sui generis”! Presidentja e ka të qartë prandaj shqetësimi i saj duhet të kuptohet frejtë dhe seriozisht dhe të veprohet shpejt, që të evitohen pasojat, apo më mirë të themi, sadopak të zvogëlohen dhe lehtësohen pasojat që janë të paevitueshme”, përfundoi publicisti Zogaj për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info