Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pas sqarimeve të këtij të fundit lidhur me çmimin e shiritit nëntokësor në kontratën e ndriçimit inteligjent.
Përmes një videoje të publikuar, Kërçeli ka kritikuar reagimin e Ramës, duke e cilësuar atë si amator dhe duke ngritur sërish pikëpyetje për çmimet dhe shërbimet e përfshira në kontratë.
“Nuk mund t’u besoja syve se çfarë ke postuar. Si ka mundësi që një kryetar të bjerë në një nivel të tillë amatorizmi?
Ata që i kemi bërë zhurmë tërë ditën, të konsultohemi se si të reagojmë, pastaj të vendosim për këtë lajthitje, kryetar!”, ka deklaruar Kërçeli.
Ai ka kërkuar sqarime nga Rama edhe për rritjen e çmimit dhe faturimin e pajisjeve të tjera të përfshira në kontratë.
“Si ka mundësi që rritjen e çmimit? Si ka mundësi që e ke faturuar kronometrin? Çka ndodhi me 7 euro, regjistër?”, ka pyetur deputeti i LVV-së.
Kërçeli ka kundërshtuar edhe arsyetimin e kryetarit të Prishtinës se çmimi prej 8.50 eurosh për metër përfshin furnizimin, transportin, vendosjen, garancinë dhe mirëmbajtjen për dhjetë vjet.
“Si ka mundësi, kryetar, që për një shirit plastik të deklaroni se ka garanci, mirëmbajtje dhe licencë?
Për një shirit që është vendosur në tokë, kryetar, si arkitekt që je, nuk do të duhej të bije në këtë nivel. Më mirë të mos kishe reaguar fare, sesa ta kishe bërë këtë gabim”, ka thënë ai.
Deputeti ka bërë të ditur se në videon e publikuar ka paraqitur edhe një tabelë krahasuese, përmes së cilës kërkon t’u tregojë qytetarëve se sa ka paguar një kompani tjetër publike në Kosovë për një metër gjatësi të shiritit, në një projekt me punë të kryer.
E sfidon Ramën në debat televiziv
Në vazhdim të videos, Kërçeli i ka bërë thirrje Ramës që të zgjedhë një televizion dhe një moderator, në mënyrë që të dy të përballen në debat publik dhe të diskutojnë për kontratat e Komunës së Prishtinës.
“Kryetar, më mirë zgjidhe një televizion, një moderator, merr kontratat dhe të shkojmë të debatojmë e t’u arsyetohemi qytetarëve të Prishtinës se çfarë i ke bërë buxhetit të kryeqytetit”, ka deklaruar Kërçeli.
Ai ka theksuar se përplasja e tyre nuk ka të bëjë me inate personale, ndërsa ka shprehur habinë për përfshirjen e kryeministrit Albin Kurti në këtë çështje nga ana e Ramës.
“Nuk ka të bëjë me inate personale. Nuk e di pse po e fut në këtë mes kryeministrin Albin Kurti. Thjesht, hajde të shkojmë e të debatojmë profesionalisht dhe t’u tregojmë qytetarëve se çfarë ka ndodhur me këtë kontratë, por edhe me kontratat e tjera”, ka përfunduar Kërçeli.
Burimi: botasot.info


