mergata pasuri strategjike e kosoves nje thesar ende i pashfrytezuar 68a9942ed5023

Mërgata pasuri strategjike e Kosovës, një thesar ende i pashfrytëzuar

August 23, 2025
min lexim

Tryeza shkencore e mbajtur në Vushtrri me temën “Roli i mërgatës në zhvillimin ekonomik dhe social në Kosovë”, e organizuar nga njohësi i ekonomisë, Prof. Dr. Safet Gerxhaliu, hapi një kapitull të domosdoshëm debati, një të vërtetë të kahershme që duhet të ndodh më shpesh dhe në secilën komunë. Vetë ideja për ta vënë në qendër të diskutimit mërgatën, e cila për dekada ka qenë oksigjen ekonomik është e qëlluar dhe vizionare.

Në këtë vend ku politika shpesh zëvendëson vizionin, ku retorika shpesh i mbulon shifrat, një diskutim i drejtpërdrejtë mbi përvojat dhe mundësitë që ofron mërgata e jonë është më se i domosdoshëm. U rikujtua një fakt që shpesh kalon në heshtje se mërgata, edhe para lufte, por sidomos pasluftës, ka qenë oksigjeni i mbijetesës së Kosovës. Remitencat që tejkalojnë 50 miliardë euro janë shifra që rrallë mund të imagjinohen për një vend të vogël, dhe pa to shoqëria jonë vështirë se do të qëndronte në këmbë.

Por, ashtu siç theksoi paneli, remitencat janë vetëm njëra anë e medaljes. Shfrytëzimi i mundësive të tjera, si rrjetet profesionale, përvoja akademike dhe kapitali njerëzor i mërgatës, mbetet ende i nënvlerësuar nga institucionet tona. Kjo u theksua edhe nga auditori Z. Nazmi Jusufi nga Holanda, i cili me të drejtë tha se nuk janë vetëm remitencat aset ekonomik, por edhe potencialet e shumta që ne nuk po dimë t’i përdorim. Ai tha se mërgata është një aset i shumëfishtë, me dije, përvojë profesionale dhe potencial të madh investiv.

Kina një model sesi të shkolluarit e saj jashtë e kanë bërë vendin e tyre, jo vetëm konkurrues, por edhe të frikshëm për superfuqitë.

Prof. Dr. Shyqri Haxha nga Anglia ngriti një pikë që duhet të jetë udhërrëfyes për institucionet tona: Kosova nuk ka nevojë të presë patjetër investitorë të huaj për t’u bindur, por mund të fillojë nga vetë bashkatdhetarët, të cilët kanë zemrën dhe mendjen të lidhur me vendlindjen. Shembujt nga vendet tjera tregojnë se dijet e fituara jashtë mund të bëhen motori kryesor i zhvillimit të brendshëm. S’është rastësi që ai e përmendi modelin kinez, një komb që diturinë e mërgatës e ktheu në shtet të fuqishëm. Pyetja e tij:“Pse mos ta bëjmë edhe ne të njëjtën gjë?”, është një thirrje që s’duhet mbetur pa përgjigje.

Një element tjetër që doli në pah ishte qartësia e kushteve bazë që mungojnë në Kosovë: Mungesa e ujit të qëndrueshëm, problemi i energjisë elektrike, mungesa e sigurisë juridike, mungesa e transparencës në tenderë, trajtimit i ngadaltë i kontesteve në gjykata, mosfunksionimi i sistemit shëndetësor,…etj. Pa rregullimin e këtyre detyrave shtëpiake, as investitorët e huaj, as mërgimtarët e suksesshëm nuk mund të hedhin hapa të mëdhenj. Besimi ndërtohet mbi themele të sigurta, jo mbi premtime dhe fjalë boshe për të fituar një votë.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi, me të drejtë falënderoi mërgimtarët për kontributin e tyre të vazhdueshëm në dekada.

Por çfarë duhet bërë? Ideja e ngritur nga Prof. Haxha për një plan strategjik kombëtar të hartuar bashkë me ekspertët e mërgatës është rruga më e drejtë. Ky plan duhet të nisë nga fusha e arsimit, pasi edukimi është çelësi i suksesit afatgjatë. Nëse Kosova krijon një sistem arsimor modern dhe konkurrues, i mbështetur nga përvoja ndërkombëtare e mërgatës, atëherë çdo sektor tjetër do të ndjekë rrugën e zhvillimit.

Mërgata nuk ka nevojë për fjalë mirënjohjeje, por për institucione që e trajtojnë si pjesë të vetes dhe si partnere në zhvillim. Për këtë arsye, takimet si ai në Vushtrri duhet të bëhen në çdo qytet, në mënyrë që diskutimi të mos mbetet vetëm në nivel akademik, por të shndërrohet në politika konkrete.

Kurse unë autor i këtij teksti, si një i riatdhesuar, e them me bindje të plotë, se vendasit të vetëm, pa energjinë dhe përvojën e diasporës, nuk dinë dhe nuk mund ta çojnë Kosovën përpara, sepse dukurit negative janë standarde të pranuara nga politika dhe populli. Ne kemi dëshmuar dikur se dimë të bindim fuqitë e mëdha botërore për ta ndihmuar Kosovën. Sot, sfida është të bindim veten se mund ta ndihmojmë dhe ta zhvillojmë vendin tonë.

Si të ecim përpara?

Kosova ka nevojë për një vizion të qartë dhe një platformë gjithëpërfshirëse që mërgatën ta shndërrojë nga dërgues parash në partner zhvillimi. Kjo nënkupton krijimin:

Një Agjencie të përhershme për bashkëpunim me mërgatën, e cila nuk do të kufizohet vetëm në remitenca, por do të menaxhojë rrjetet profesionale, investimet dhe përvojat.

Të krijohet një fond zhvillimor i përbashkët, ku mërgimtarët kontribuojnë edhe me dije dhe ku shteti garanton siguri juridike dhe kthim të qartë të investimeve.

Të krijohet një platforme kombëtare e dijes, ku ekspertët e mërgatës lidhen me universitetet dhe institucionet vendore për projekte konkrete.

Ekspertët nga mërgata të paguhen sikurse në vendet ku jetojnë, këtë e bëjnë shumë shtete, Kina, Irlanda,… ky është investim i sigurt, nëse nuk i kemi mjetet, pse mos të marrim kredi për financimin e tyre.

Angazhim serioz i institucioneve për të eliminuar krizën e besimit dhe paragjykimeve.

Nëse Kosova arrin t’i ofrojë kushtet bazike, nëse institucionet tregojnë seriozitet e transparencë, që akoma nuk e kemi, atëherë mërgata jonë do të bëhet ura më e fortë drejt zhvillimit ekonomik e social. Historia e mërgatës është histori sakrifice. Tash është koha që kjo sakrificë të kthehet në motor zhvillimi, jo vetëm në mbijetesë.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

seuli hap zjarr pasi trupat e korese se veriut kalojne kufirin 68a993434f337
Lajmi i mëparshëm

Seuli hap zjarr pasi trupat e Koresë së Veriut kalojnë kufirin

kirsten dunst te gjithe e shqiptojne emrin tim gabim kam hequr dore nga korrigjimi i tij 68a99555d4d09
Lajmi i radhës

Kirsten Dunst: Të gjithë e shqiptojnë emrin tim gabim, kam hequr dorë nga korrigjimi i tij

Të fundit nga

Si e “humbi” Trump Indinë?

Nëse një ditë amerikanët do të pyesin “kush e humbi Indinë”, Donald Trump do ta dijë se ka qenë ai. Dhe nëse indianët do t’i drejtohen Narendra Modit me pyetjen “kush e humbi Amerikën”,

Moti sot në Maqedoni

2 Shkup, 6 dhjetor – Sot vendi do të jetë nën ndikimin e motit të vranët në të gjithë territorin, i shoqëruar me reshje shiu. Sipas paralajmërimeve të Meteorologjisë (UHMK), reshjet do
ShkoLartë