Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, Fatmir Xhafaj, ka dalë sot në një konferencë për mediat në përmbyllje të mandatit të veprimtarisë së këtij komisioni, si dhe për të bërë një bilanc të punës së realizuar deri më tani.
Xhafaj u shpreh se ky Komision i Posaçëm e ka përmbushur qëllimin e ngritjes së tij, ndonëse pati një mandat të kufizuar me vetëm 14 muaj dhe me periudhën elektorale në mes.
Ai theksoi se puna e komisionit është bazuar në katër parime kryesore: gjithëpërfshirje, transparencë, profesionalizëm dhe standarde ndërkombëtare.
“Komisioni me dokumentat e hartuara dhe të miratuara adresoi një sërë poblematikash dhe vendosi piketa të qarta aq të domosdoshme për përballjen me 3 sfida kyç të zhvillimit, Mirëqëverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e ligjit, thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Ashtu si dhe nga ana tjetër përmes këtyre dokumentave qartësoi përgjegjësitë për një rol më aktiv të Kuvendit në procesin e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE dhe reformimin e vetë Kuvendit, nisur kjo edhe nga konteksti i zhvillimeve të integrimit europian të Shqipërisë dhe reflektimet ligjore dhe institucionale me sfidat në kuadër të këtij procesi”, tha Xhafaj.
Përgjatë këtyre 14 muajve, ai tha se komisioni ka përmbyllur dy fazat e para të tij dhe i ka dorëzuar Kuvendit dy dokumente parlamentare bazë, Dokumenti Analitik dhe Plani Kombëtar i Veprimit.
“Gjithë ky proces i ndërtuar është mbështetur dhe ka garantuar 4 parime themelore që janë: Gjithëpërfshirja, Transparenca, Profesionalizmi dhe Standardet më të mira ndërkombëtare. Synimi kryesor i komisionit ka qënë dhe besoj se ja kemi arritur përmes metodologjisë së zbatuar që i gjithë ky proces në vetvehte dhe veçanërisht dokumentat që janë hartuar së bashku me propozimet përkatëse të garantojnë standarte europiane si dhe reflektimin në praktikat më të mira të vendeve të BE-së si dhe të jenë në përputhje të plotë me rekomandimet e BE dhe kriteret për pozicionet negociuese”, tha Xhafaj.
Sipas Xhafajt, për hartimin e analizës janë përfshirë 119 ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, të cilët kanë shqyrtuar mbi 15,000 faqe dokumentacion zyrtar, për të prodhuar një analizë të thelluar në 18 kapituj dhe për të përcaktuar 238 masa konkrete, 78 ligjore dhe 160 institucionale, në Planin e Veprimit.
“Dokumenti Analitik për të tre fushat: Mirëqeverisja, Antikorrupsioni dhe Sundimi i Ligjit, është një dokument me 709 faqe dhe trajton të gjitha aspektet në 18 kapituj. Struktura e analizës është e organizuar në mënyrë të tillë që për çdo çështje të ofrohet një pasqyrë e situatës aktuale, duke shqyrtuar masat ligjore dhe institucionale të zbatuara. Për përgatitjen e kësaj analize, Ekspertët e Nivelit të Lartë kanë skanuar dhe analizuar mbi 15.000 faqe dokumenta, analiza e raporte të ndryshme.
Plani Kombëtar i Veprimit është një dokument që përcakton masa konkrete, horizontale dhe sektoriale, të cilat synojnë përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të Kuvendit, në kuadër të procesit të negociatave të antarësimit të Shqipërisë BE. Plani kombëtar i veprimit përmban 56 fusha tematike të cilat adresojnë çështjet kryesore me 238 masa konkrete, nga të cilat 78 janë nisma ligjore dhe 160 masa institucionale. Këto janë dy dokumente të rëndësishëm parlamentar, produkt i punës së komisionit”, tha ai.
Sa i përket të ardhmes së veprimatisë së Komisionit të Posaçëm, Fatmir Xhafaj tha se bazuar edhe në diskutimet e deritanishme, mbështetur në Rezolutën e Kuvendit, por edhe në masat e propozuara në Planin Kombëtar të Veprimit, është e nevojshme që një Komision ose një nënkomision parlamentar i përhershëm ose një strukturë në nivel institucional që do gjykohet nga Parlamenti, të vijojë veprimtarinë e tij.
Burimi: botasot.info


