Ndërsa në Europë ka pasur kritika ndaj marrëveshjes tregtare të firmosur të hënën mes presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidentit amerikan, Donald Trump, e cilësuar si një lëshim dhe humbje për BE-në, Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka parë ndryshe situatën, duke theksuar se shmangia e një lufte të re tregtare është një zhvillim pozitiv.
Në përditësimin e fundit të World Economic Outlook, FMN ka përmirësuar parashikimet për rritjen globale dhe europiane, duke e lidhur këtë me “uljen e tensioneve tregtare” dhe “një klimë më të qëndrueshme ndërkombëtare”.
Ndërkohë, negociatat dyditore midis SHBA-ve dhe Kinës i zhvilluar në Stokholm përfundoi pa marrëveshje konkrete, por me vendimin për të shtyrë me 90 ditë zbatimin e tarifave 30 përqind dhe për të vijuar dialogun. Sekretari amerikan i Thesarit, Bessent, theksoi se “fjala e fundit i takon presidentit Trump”, por shtoi se vetë vazhdimi i bisedimeve “është një lajm i mirë”. Edhe drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar, Kevin Hassett, tha se presidenti do të njoftohet sot për ecurinë dhe “do të jetë i kënaqur”.
Pas samitit në Edinburg, presidentja e Komisionit Europian pranoi se tarifat 15% ndaj produkteve europiane përbëjnë një goditje për kontinentin, por nënvizoi se shmangia e një përshkallëzimi të konfliktit tregtar ishte prioritet. Franca dhe Gjermania reaguan me zhgënjim, duke e quajtur të hënën një “ditë të zezë” për BE-në.
Por FMN mbështet qasjen e Von der Leyen. Kryeekonomisti i saj, Pierre-Olivier Gourinchas, konfirmoi përmirësimin e projeksioneve: rritja ekonomike globale parashikohet të arrijë në 3% në vitin 2025 dhe 3,1% në 2026.
Edhe pse shifrat nuk janë të jashtëzakonshme, ato konsiderohen më pozitive se skenarët e mëparshëm, që paralajmëronin pasoja më të rënda. FMN vëren se pasiguria mbetet e lartë, por ekziston shpresë për stabilizim falë zbutjes së tensioneve tregtare, në veçanti marrëveshjes BE-SHBA dhe shtyrjes së tarifave me Kinën.
Pasi më 2 prill presidenti Trump paralajmëroi tarifa të përgjithshme për importet globale, tregjet pësuan rënie dhe u ngritën frikëra për një recesion të mundshëm. Më vonë, ai duket se e zbuti qëndrimin, duke kaluar nga kërcënimet në negociata bilaterale, si marrëveshja e fundit me BE-në për tarifa 15%, më të buta se ato 30% që ishin në diskutim.
Analistët vlerësojnë se Trump tani po kërkon të përfitojë sa më shumë politikisht dhe ekonomikisht, pa rrezikuar një përplasje tregtare globale, çka sjell shpresë për një periudhë stabiliteti të pjesshëm në tregjet ndërkombëtare.
Burimi: botasot.info


