Agjencia për Informim dhe Privatësi në Kosovë po zhvillon një punëtori tre ditore e cila ka për qëllim trajtimin e temave që janë shqetësuese sot për të gjitha shoqëritë.
Për herë të parë, kjo agjenci po organizon punëtorinë në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale, duke mbledhur 70 përfaqësues nga vendet evropiane.
Komisionerja e agjencisë, Krenare Sogojeva Dërmaku tha për KosovaPress, mbrojtja e të dhënave është shqetësim për të gjithë qytetarët.
Sogojeva-Dërmaku: Shqetësim mbrojtja e të dhënave
“Agjencia për Informimin e Privatësisë ka arritur që për herë të parë të marrë përsipër organizimin e punëtorisë për shkëmbimin e përvojave, dhe paraqitjen e rasteve që kanë krijuar standarde në nivel të zbatimit të rregullativës evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale. Me datat 17-19 nëntor, kjo punëtori ka mbledhur 70 përfaqësues të vendeve evropiane, përfshirë komisionerë dhe anëtarë nga Bordi Evropian i Mbrojtjes së Dhënave Personale, si e tillë ka për qëllim trajtimin e temave që janë shqetësuese sot për të gjitha shoqëritë”, tregoi komisionerja.
Sogojeva Dërmaku përmendi inteligjencën artificiale (AI), duke theksuar se është një nga gjërat që ngre brengë për mbrojtjes së privatsisë.
Sogojeva Dërmaku: Zhvillimi i teknologjisë problem për mbrojtjen e të dhënave
“Zhvillimi i shpejtë i teknologjisë dhe ndikimi i inteligjencës artificiale, i cili po bëhet gjithnjë e më problematik, qoftë nga aspekti i mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë së individit, apo nga ndikimi në rritjen ekonomike dhe industrinë”, pohon ajo.
Ky organ i cili po zhvillon tema që prekin edhe privatësinë e fëmijëve, po e sheh këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm para drejt anëtarësimit evropian për Kosovën.
Sogojeva Dërmaku: Kornizat ligjore që kemi i hapin rrugë anëtarësimit në BE
“Ne do të diskutojmë pikërisht këto tema, si dhe mbrojtjen e të drejtave të privatësisë së fëmijëve, si përdorimin e kamerave ‘smart’, biometrinë që po ashtu është një prej parimeve që rregullorja evropiane parasheh rregulla strikte të përdorimit të saj… Kjo tregon se ne vetëm kemi shtruar rrugën tonë për sa i përket mbrojtjes së të dhënave. Ligjet e kornizën ligjore që kemi kompletuar tashmë me të gjitha standardet që kërkohen, i hapin rrugën Kosovës drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian”, përfundon Sogojeva Dërmaku.
Burimi: botasot.info


