Mbeturinat e dyshuara nga një dron u gjetën sot pasdite në provincën lindore të Lublinit në Poloni, tha policia lokale.
Një burrë zbuloi “pjesë të një objekti që i ngjante një droni” ndërsa ecte në një pyll dhe e raportoi gjetjen në polici rreth orës 13:00 sipas kohës lokale (12:00GMT), tha forca policore rajonale në mediat sociale, sipas TVP World.
Shërbimet e emergjencës u dërguan në vendngjarje, ku hetimet janë duke vazhduar. Policia nuk ka publikuar detaje të mëtejshme, përfshirë origjinën e dronit të dyshuar.
Transmetuesi privat Polsat News raportoi se mbeturinat mund të lidhen me një shkelje të dyshuar të hapësirës ajrore natën e 9-10 shtatorit, kur dhjetëra dronë rusë thuhet se hynë në hapësirën ajrore polake, megjithëse media nuk citoi një burim.
Atë natë, më shumë se 20 dronë rusë shkelën hapësirën ajrore polake, duke bërë që aleatët e NATO-s të ngrinin avionë luftarakë dhe të rrëzonin deri në katër prej tyre, sipas autoriteteve polake, ndërsa Rusia mohon çdo përfshirje, raporton kp.
Autoritetet thanë se të paktën nëntë dronë nga incidenti u gjetën në provincën Lublin, e cila kufizohet me Ukrainën dhe Bjellorusinë, dhe se një raketë e Forcave Ajrore Polake e lëshuar për të kapur njërin prej tyre ra mbi një shtëpi pa shkaktuar lëndime.
Burimi: botasot.info


