2
Shkup, 30 dhjetor – Rreth 638 mijë tonë mbetje komunale janë grumbulluar në Maqedoni gjatë vitit të kaluar, që është 2.5 për qind më shumë krahasuar me vitin 2023. Çdo banor, mesatarisht, ka krijuar 438 kilogramë mbetje komunale, që paraqet ulje krahasuar me vitin paraprak kur çdo banor mesatarisht kishte krijuar 503 kilogramë mbetje komunale, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave.
Sipas tyre, mbetjet komunale të grumbulluara nga amvisëritë, dyqanet dhe mbeturinat e rrugëve përfundojnë në deponi. Sa i përket mbetjeve nga ambalazhi, të dhënat tregojnë se 65 për qind e sasisë së përgjithshme janë ricikluar. Më së shumti është ricikluar mbetja nga letra.
– Nga 80.575 tonë mbetje nga ambalazhi të hedhura në treg, janë ricikluar 52.605 tonë. Sipas kategorive, vitin e kaluar vetëm mbetjet nga ambalazhi i letrës dhe kartonit të hedhura në treg janë ricikluar plotësisht dhe mbi nivelin e kërkuar (105%), më pas vijojnë mbetjet nga metali (80%), qelqi (54.6%), plastika (38.9%) dhe druri (38.8%). Në shifra absolute, më së shumti janë ricikluar mbetjet nga letra dhe kartoni (29.614 tonë), më pas plastika (8.979 tonë), qelqi (7.570 tonë), druri (3.416 tonë) dhe metali (3.026 tonë).
Aktivistja mjedisore Ana Simonova për Televizionin 24 thotë se riciklimi ka rol kyç në zvogëlimin e mbetjeve, por edhe në kursimin e burimeve natyrore, përdorimi i tepërt i të cilave ndot mjedisin.
– Riciklimi ka një rol kyç në zvogëlimin e mbetjeve dhe në krijimin e zakoneve të përgjegjshme, para së gjithash te njerëzit. Përmes riciklimit zvogëlohet sasia e mbetjeve që përfundojnë në deponi, duke u mbrojtur toka, uji dhe ajri, ndërsa ripërdorimi i materialeve kursen burime natyrore dhe energji dhe njëkohësisht ul ndotjen e mjedisit. Po ashtu, dua të theksoj se është shumë e rëndësishme edhe ndryshimi i zakoneve te njerëzit; kur riciklimi bëhet pjesë e përditshmërisë, zhvillohet ndërgjegjësimi për sjellje të përgjegjshme ndaj natyrës.
Shteti në vitin 2024 ka shpenzuar mbi 10.5 miliardë denarë për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa përmes taksave ekologjike në vitin 2023 janë mbledhur rreth 12.2 miliardë denarë.


