Një premtim për shërim nga kanceri, që dyshohet se është shndërruar në mashtrim. Një person në Veles po hetohet nga Prokuroria, nën dyshimet se u ka ofruar disa personave në mënyrë të rreme të ashtuquajturat “vaksina kubaneze” kundër kancerit, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm financiar.
“I dyshuari, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka vënë në mashtrim disa persona, duke u ofruar në mënyrë të rreme ‘vaksina kubaneze’ kundër kancerit”, njoftoi Prokuroria Publike.
Hetimi tashmë ka përfshirë kontrolle në disa lokacione. Në vendin e punës së të dyshuarit në Veles, janë gjetur prova që do t’i nënshtrohen ekspertizës, ndërsa janë sekuestruar edhe pajisje elektronike.
Prokurori publik po merr në pyetje personat e dëmtuar dhe persona të tjerë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.
Ndërkohë, Prokuroria i ka propozuar gjykatës që të dyshuarit t’i caktohen masa kujdesi, përfshirë sekuestrimin e dokumentit të udhëtimit dhe detyrimin për t’u paraqitur në gjykatë.
Personi aktualisht është i shtruar në një institucion shëndetësor, ku i është dorëzuar vendimi për caktimin e masave.
Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme po vazhdojnë hetimet për të siguruar prova të tjera dhe për të zbardhur të gjitha rrethanat e rastit.
Burimi:TV21


