Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka konstatuar se vendimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës për miratimin e Listës së Pronave Publike për dhënie në shfrytëzim për vitin 2026 është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Ky vendim ishte miratuar më 30 dhjetor 2025 nga Asambleja e Kryeqytetit dhe përfshinte një listë të veçantë të pronave të paluajtshme komunale, të cilat parashihej të jepeshin në shfrytëzim gjatë vitit 2026.
Sipas dokumentit zyrtar, MAPL e kishte pranuar vendimin më 31 dhjetor 2025 për shqyrtim të detyrueshëm të ligjshmërisë. Pas analizimit të tij, ministria ka vlerësuar se procedurat e ndjekura nga Komuna e Prishtinës nuk janë zhvilluar në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.
MAPL ka theksuar se mosrespektimi i procedurave ligjore cenon parimet e administrimit të rregullt të pronës publike dhe kërkon që autoritetet komunale të ndërmarrin veprimet e nevojshme për harmonizimin e vendimeve të tyre me ligjin.
Burimi: botasot.info


