manipulimi i votave a do te hetoje prokuroria edhe zgjedhjet e 9 shkurtit dhe si do te ndeshkoheshin deputetet 697c5b714c872

Manipulimi i votave: A do të hetojë Prokuroria edhe zgjedhjet e 9 shkurtit dhe si do të ndëshkoheshin deputetët?

January 30, 2026
min lexim

Prizreni, Malisheva, Gjakova, Drenasi e Ferizaj janë cak i autoriteteve për dyshimet lidhur me manipulimet e votave për kandidatët me deputetë.

Në Prizren, janë ndaluar 109 persona për këto dyshime, ndërsa në Malishevë janë ndaluar 15 kryesues për vepër të njëjtë.

Hetimet janë duke vazhduar edhe në Gjakovë, Drenas e Ferizaj.

Pas aksionit të zhvilluar të mërkurën në komunën e Malishevës, ka folur edhe koordinatorja nacionale e zgjedhjeve në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula.

Sipas saj, ky aksion ka për qëllim jo vetëm ndëshkimin e shkeljeve ligjore, por edhe parandalimin e manipulimeve në proceset e ardhshme zgjedhore.

“Puna jonë nuk ka të bëjë vetëm për sjellje të kundërligjshme, por edhe me parandalimin, që proceset e ardhshme të zhvillohen me integritet. Kur ligji zbatohet pa kompromis ndaj manipuluesve të votave, besoj që do ta inkurajoni që të vazhdojmë punën tonë”, deklaroi Pula në konferencë.

Ndër të tjera ajo tha se Prokurori i Shtetit do të mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë”.

“Puna jonë nuk do të përfundojë deri në gjetjen e personit të fundit që ka kryer këtë manipulim. Prokurori i Shtetit do të mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë”, u shpreh Pula.

Po ashtu, koordinatorja nacionale e zgjedhjeve tha se aktualisht janë në një proces i cili nuk është përsëritur asnjëherë që nga viti 2010.

“Jemi në proces për të cilin që nga viti 2010 nuk është përsëritur asnjëherë, është proces më i kompromentuari, nuk mund ta lejojmë që si shtet me demokraci të zgjedhjeve, që mos t’i hetojmë këta persona që duan ta prishin reputacionin e Kosovës dhe të shoqërisë sonë”, përfundoi Pula.

Fetah Paçarizi (PDK), Nait Hasani (PDK), Kujtim Gashi (PDK), Luljeta Veselaj Gutaj (PDK), Arianit Çollaku (PDK), Xhavit Uka (LDK), Fadil Demaku (PDK), Driton Selmanaj (LDK), Enver Hoxhaj (PDK), Xhavit Haliti (PDK), Arber Rexhaj (LVV), Rea Krasniqi (LVV), Anton Quni (LDK), Dafina Alishani (LVV), Valon Ramadani (LVV), janë disa nga emra të cilëve i janë minisuar votat gjatë rinumërimit.

Nga këto persona: Nait Hasani, Enver Hoxhaj, Fadil Demaku, Arber Rexhaj, Anton Quni e Valon Ramadani, patën arritur të siguronin ulëse në legjislaturën e kaluar që dol inga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, e disa ishin deputetë edhe mandate paraprake.

A do të duhej prokuroria të merrej edhe me votat e 9 shkurtit 2025 dhe rinumërim më gjerë, për këtë kanë folur për “Bota sot”, avokatë që konsiderojnë se duhen dënime të merituar për persona e përfshirë dhe kësisoj duhet pritur prokurorinë që të kryejë detyrën e saj.

Degradimi i procesit dhe nevoja për kujdes

Juristi Blerim Burjani thotë procesi është degraduar shumë dhe është shumë vështir të riparohet.

Image

Blerim Burjani

Sipas tij, situata ka dëmtuar seriozisht besueshmërinë e procesit zgjedhor.

“Procesi është degraduar jashtëzakonisht shumë dhe është shumë i vështirë për t’u riparuar, por tani duhet të shohim se si KQZ do ta përmbyllë këtë proces me certifikimin e rezultateve. Situata ka dëmtuar seriozisht besueshmërinë e procesit zgjedhor, prandaj kërkohet kujdes i madh në çdo hap”, deklaron Burjani.

Ai kërkon që prokuroria të kryejë detyrën e saj, gjersa shton se me rëndësi është që procesi i rinumërimit dhe hetimit të rastit të përfundojë në mënyrë transparente.

“Prokuroria duhet të kryejë detyrën e vet dhe të ndjekë procedurat ligjore për personat e përfshirë si komisionerë apo kryesues në parregullsitë e konstatuara. Në këtë drejtim ka shumë sfida, por më e rëndësishmja është që procesi, përfshirë rinumërimin dhe hetimin e rastit, të përfundojë në mënyrë transparente dhe ligjore, duke rikthyer besimin në institucionet zgjedhore”, shprehet juristi.

Asnjë aministi për individët që përfshihen në manipulime, ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Kurti ka dënuar çdo tentativë manipulimi të votave brenda subjekteve politike, duke inkurajuar institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dënuar çdo tentativë manipulimi të votave brenda subjekteve politike, duke theksuar se individët që përfshihen në manipulime nuk do të përfitojnë amnisti.

“Komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti. I inkurajojmë institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përherë.

Republika e Kosovës është shembull i demokracisë në rajon dhe i proceseve zgjedhore. Adresimi përmes ligjit dhe llogaridhënies për rastet e dyshimeve të manipulimeve brenda subjekteve politike, është i domosdoshem për integritetin e procesit.

Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë, dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen”, thuhet në reagimin e Kurtit.

Shkeljet ligjore, nevoja për ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve

Ndërsa, avokati Ardian Bajraktari, përmend dy kategori shkeljesh ligjore në lidhje me procesin zgjedhor.

Image

Ardian Bajraktari

“Ruajtja e integritetit të zgjedhjeve është tejet e rëndësishme, kjo para së gjithash është detyrë e organeve të zbatimit të ligjit, filluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si organ përgjegjës për administrimin e procesit zgjedhor, por edhe i organeve të drejtësisë. Kur jemi tek shkeljet, duhet theksuar se ekziston dy kategori shkeljesh ligjore në lidhje me procesin zgjedhor, shkelje administrative dhe shkelje që kanë impakt në rezultatin e zgjedhjeve, e që në kuadër të Kodit Penal, është një kapitull i tërë i veprave penale të cilat i dedikohet veprave penale kundër të drejtave të votimit”, deklaron Bajraktari.

Ai kërkon dënime të merituar për personat e përfshirë, duke thënë se vetëm kështu arrihet ruajtja e integritetit të zgjedhjeve.

“Është detyrë e organeve të zbatimit të ligjit, prokurorisë dhe policisë të zbardhin rastet e tilla dhe kushdo që provohet se ka qenë i përfshirë në procese të tilla, përfshirë edhe kandidatët, të marrin dënime të merituar, vetëm kështu do të arrihet ruajtja e integritetit të zgjedhjeve si dhe besimi i publiku në këtë proces, por njëkohësisht veprimi me ashpërsinë që parasheh ligji do të ishte edhe masë parandaluese që në të ardhmen të mos përsëriten raste të tilla”, përfundon avokati.

 

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

ivi kaso
Lajmi i mëparshëm

Ivi Kaso: Vetëm 3 deputetë dinë ç’është votuar për Kodin Penal

BE SHQIPERI
Lajmi i radhës

Shqipëria miraton `Planin Schengen 2026–2030`, synon BE-në brenda 4 viteve

Të fundit nga

ShkoLartë