Presidenti francez e cilëson ngjarjen si pikë kthese për Republikën, ndërsa autoritetet po hetojnë dyshimet për terrorizëm dhe motive raciste ose islamofobike.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka cilësuar si “sulm terrorist racist” të shtënat me armë zjarri në periferi të Parisit, ku një person u vra dhe pesë të tjerë u plagosën, përfshirë një vajzë 12-vjeçare.
Macron e përshkroi ngjarjen si një “pikë kthese në jetën e Republikës dhe kombit tonë”, duke theksuar se akte të tilla nuk kanë vend në Francë.
Sulmi ndodhi të premten, kur një person i armatosur qëlloi disa herë nga një automjet në zonat e Trappes dhe La Verrière, në jugperëndim të Parisit. Sipas autoriteteve, të shtënat zgjatën pothuajse 15 minuta, ndërsa tre persona pësuan lëndime të rënda.
I dyshuari, 39-vjeçar, u arrestua pas sulmit në zonën e Coignières, sipas raportimeve të mediave lokale. Ai ishte i njohur për policinë franceze, por jo për shërbimet e inteligjencës, ndërsa nuk figuronte në listën e personave që konsideroheshin kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.
Zyra e Prokurorit Kombëtar Antiterrorist të Francës (PNAT) ka nisur hetimet për dyshime për vrasje në lidhje me një ndërmarrje terroriste. Hetimi përfshin edhe dyshimet për motive të lidhura me përkatësinë racore, etnike, kombëtare ose fetare të viktimave, si dhe për posedim të një arme të kategorisë A dhe përgatitje të krimeve kundër personave në kuadër të një grupi terrorist.
Sipas kryetarit të bashkisë së Trappes, Ali Rabeh, i dyshuari lëvizte me një automjet Renault Clio gri dhe qëllonte ndaj personave që i dilnin përpara. Ai dyshohet se ka qëlluar në disa lokacione, përfshirë një pikë karburanti, një qendër shëndetësore dhe një kënd lojërash, përpara se të vazhdonte drejt zonës së La Verrière.
Rabeh deklaroi se sulmi dukej se kishte motive raciste dhe ndoshta islamofobike. Ai theksoi se viktima që humbi jetën ishte me origjinë afrikane, ndërsa një nga personat në gjendje kritike kishte prejardhje nga Afrika e Veriut. Megjithatë, prokuroria antiterroriste ka bërë thirrje për kujdes në lidhje me identitetin e viktimave dhe përcaktimin e motiveve të sulmit.
Në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë 12-vjeçare, e cila, sipas nënës së saj, ka pësuar tetë plagë nga të shtënat dhe i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.
Nëna e vajzës, në një prononcim për transmetuesin francez RTL, ngriti dyshime se vajza e saj mund të jetë shënjestruar për shkak të shamisë së kokës që mbante.
“Si mund t’ia bënte dikush këtë një fëmije?”, deklaroi ajo, duke theksuar se vajza e saj kishte lindur në Trappes dhe kishte të drejtë të jetonte e të ndërtonte jetën e saj në Francë.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, deklaroi se ngjarja po trajtohet si krim terrorist, duke iu referuar vlerësimit të prokurorisë antiterroriste. Ai theksoi se motivi i sulmit mbetet ende i paqartë.
Sipas raportimeve të mediave franceze, i dyshuari përdori një armë gjysmëautomatike të vjetër, ndërsa hetuesit po përpiqen të sqarojnë rrethanat e ngjarjes, përzgjedhjen e mundshme të viktimave dhe nëse sulmi ishte i motivuar nga urrejtja racore ose fetare.
Hetimet pritet të përcaktojnë motivin e saktë të sulmit dhe nëse i dyshuari ka vepruar i vetëm apo në kuadër të ndonjë strukture terroriste.
Burimi: botasot.info


