29
Shkup, 22 janar – Analiza më e fundit rajonale e gjendjes hidromorfologjike të lumenjve në Ballkan tregon një përkeqësim serioz dhe të përshpejtuar të disa prej ekosistemeve të fundit lumore në Evropë. Për herë të parë pas më shumë se dhjetë vitesh, studimi ofron të dhëna të krahasueshme për të gjithë rajonin dhe tregon se pjesa e lumenjve pothuajse natyrorë ka rënë ndjeshëm – nga 30 për qind në vitin 2012 në vetëm 23 për qind në vitin 2025, që përfaqëson një humbje prej rreth 2.450 kilometrash rrjedhash lumore.
Vlerësimi, i realizuar në kuadër të fushatës “Shpëto Zemrën Blu të Evropës”, përfshiu mbi 83.800 kilometra lumenj në 11 vende të Ballkanit. Të dhënat tregojnë se segmentet e lumenjve të modifikuar rëndë janë në rritje, ndërsa lumenjtë e paprekur ose pak të ndryshuar po zhduken vazhdimisht nën presionin e ndërhyrjeve infrastrukturore, projekteve hidroenergjetike dhe rregullimeve të shtratit.
Nga lumenjtë më të mëdhenj të analizuar në studim, vetëm pak më shumë se një e pesta ende mund të konsiderohen pothuajse natyrorë. Rreth 43 për qind kanë ndërhyrje të vogla, ndërsa mbi një e katërta janë mesatarisht deri në shumë të modifikuar. Më të goditura janë pellgjet e Drinës, Neretvës, Vardarit, Devollit dhe Drinit.
“Tendencat afatgjata të dokumentuara në këtë studim tregojnë një rënie të qartë të segmenteve lumore pothuajse natyrore në gjithë Ballkanin, kryesisht të shkaktuara nga ndërhyrjet dhe modifikimet e mëdha të lumenjve. Edhe pse rajoni ende ruan një pjesë relativisht të lartë lumenjsh të paprekur, këto trende tregojnë një mospërputhje në rritje mes praktikave aktuale të zhvillimit dhe standardeve ekologjike të nevojshme sipas kornizës së anëtarësimit në BE dhe parimeve të menaxhimit të qëndrueshëm të lumenjve,” shton autori i studimit, dr. Ulrich Schwarz nga Fluvius Vienna.
Edhe pse trendi është shqetësues, ekspertët theksojnë se Ballkani ende ka një përqindje shumë më të lartë lumenjsh të ruajtur krahasuar me pjesën tjetër të Evropës, duke i dhënë një rol unik si streha e fundit e madhe e ekosistemeve lumore të egra në kontinent.
Vardari ndër lumenjtë më të ndotur në botë
Në raport, ndër pellgjet që shënojnë ndryshime më të theksuara, por negative, përfshihet edhe lumi Vardar. Shumë raporte vendore dhe ndërkombëtare prej vitesh paralajmërojnë se ky lumë është nën presion të fortë nga ndotja industriale dhe komunale, shkarkimet e parregulluara, shfrytëzimi i tepruar i ujit dhe ndërhyrjet infrastrukturore, gjë që e dëmton seriozisht statusin e tij ekologjik.
“Institucionet përgjegjëse për matjen e nivelit të ndotjes së Vardarit prej dekadash theksojnë se uji i lumit më të madh në Maqedoni është i ndaluar për çdo përdorim. Ndotja është kronike dhe aq alarmante saqë në muajt më të nxehtë, kur avullimi është i madh, nuk rekomandohet as të marrësh frymë pranë tij. Sipas Qendrës për Shëndet Publik, e cila kryen analiza kimike dhe bakteriologjike, ndotja bakteriologjike e Vardarit vlerësohet në kategorinë e katërt, ndërsa ndotja kimike në kategorinë e pestë,” thonë për “Fokus” nga Lëvizja “Qyteti i Gjelbër Human”.
Segmente të Vardarit, veçanërisht në rrjedhën e mesme dhe të poshtme, vlerësohen si të degraduara rëndë, me biodiversitet të reduktuar ndjeshëm dhe funksione natyrore të dëmtuara. Lumi, i cili dikur kishte rol kyç në jetën ekonomike, ekologjike dhe sociale të vendbanimeve përgjatë rrjedhës së tij, sot në masë të madhe e ka humbur këtë funksion.
“Vardari është i pastër vetëm në burim. Menjëherë pas hyrjes në Gostivar vjen goditja e parë e ndotjes, më pas intensiteti rritet në Tetovë dhe Shkup dhe mbetet i lartë deri në kufirin me fqinjin jugor. E gjithë kjo është e pritshme kur mbikëqyrja institucionale është reduktuar në formalitet dhe kur beteja mes partive që na kanë sjellë në këtë gjendje reduktohet në atë se kush ka shkatërruar më pak, e jo kush e ka përmirësuar më shumë gjendjen e burimit më të rëndësishëm ujor në Maqedoni,” thonë nga QHG.
Nga lëvizja “Qyteti i Gjelbër Human” theksojnë se pjesa më e madhe e ndotjes së Vardarit vjen nga kapacitetet industriale dhe nga sipërfaqet bujqësore përgjatë rrjedhës së tij.
“Burimi më serioz është ndotja industriale dhe ajo nga bujqësia. Kimikatet, pesticidet – të gjitha këto janë përbërje që përhapen shumë shpejt në ujë dhe prodhojnë pasoja afatgjata si për jetën e gjallë në lumë, ashtu edhe për të mbjellat që ujiten me ujë shumë të ndotur dhe, në fund, për njeriun që konsumon atë ushqim të helmuar,” shtojnë nga QHG.
Sipas tyre, problemi më i madh është kontrolli i pamjaftueshëm dhe joefikas mbi ndotësit e mëdhenj industrialë. Edhe pse ata kanë ndikimin më të madh në gjendjen e lumit, mbikëqyrja inspektuese shpesh mbetet formale dhe reaktive, e jo parandaluese.
“Kompanitë e mëdha, që janë edhe ndotësit më të mëdhenj, janë më pak të kontrolluara. Shërbimet inspektuese, përveç rasteve kur ndodh ndonjë incident që merr vëmendje publike dhe reagime të forta qytetare, rrallë vendosin gjoba. Arsyeja është se nga njëra anë janë lehtësisht të korruptueshme, e nga ana tjetër mund të jenë edhe viktima të kërcënimeve,” shtojnë nga QHG.
Nga “Qyteti i Gjelbër Human” theksojnë se pa një luftë sistematike kundër ndotjes, mbikëqyrje të fortë institucionale dhe vullnet të vërtetë politik, Vardari do të vazhdojë të jetë simbol i dështimit ekologjik në vend, në vend që të jetë një burim jetik për natyrën, bujqësinë dhe shëndetin e qytetarëve.
“Së pari, në qytetet e Maqedonisë, veçanërisht në Shkup, duhet të ndërtohen sisteme moderne dhe të plota kolektorësh dhe impiante funksionale të pastrimit të ujërave të ndotura, të cilat do të mirëmbahen rregullisht dhe do të kenë staf të trajnuar dhe të aftë. Londra ka impiant pastrimi dhe sistem kolektorësh që nga epoka viktoriane. Sistemi i kolektorëve përgjatë Thames mbledh të gjitha ujërat e ndotura, i çon në impiantin e pastrimit që ndodhet para derdhjes në Detin e Veriut dhe prej andej shkarkohen të trajtuara. Projekti është përfunduar brenda vetëm 10 vitesh, ndërsa në Shkup, 200 vjet më vonë, bashkëqytetarët tanë ende notojnë në mbetjet tona kolektive. Duhet ndëshkim rigoroz dhe i pamëshirshëm për të gjitha kapacitetet industriale dhe çdo subjekt tjetër që shkarkon ujëra të ndotura të papastruara,” shtojnë nga QHG.
Burimi: zhurnal.mk


