Negociatat në Islamabad mes Iranit dhe SHBA-së, me ndërmjetësimin e Pakistanit, kanë nisur zyrtarisht. Lajmi është bërë i ditur nga CBS. Delegacioni iranian udhëhiqet nga kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf teksa ai amerikan nga zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance, i shoqëruar nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff dhe dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner.
Pak para se të ulen në bisedime të mirëfillta, delegacionet e SHBA-ve dhe Iranit zhvilluan takime të ndara me ndërmjetësuesin, kryeministrin pakistanez. Irani vendos 4 kushte të panegociueshme për një marrëveshje: kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, pagesën e dëmshpërblimeve të luftës, lirimin e aseteve të ngrira në bankat e huaja dhe një armëpushim në rajon.
Ndërkohë një zyrtar i lartë amerikan tha për CBS News se Shtetet e Bashkuara nuk kanë rënë dakord për lirimin e asnjë aseti të ngrirë iranian në Katar apo në banka të tjera të huaja.
“Takimet me Iranin nuk kanë filluar ende, kështu që nuk është diskutuar asnjë marrëveshje”, tha më tej zyrtari.
Këto pritet të jenë bisedimet në nivelin më të lartë mes SHBA-së dhe Iranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 dhe negociatat e para zyrtare ballë për ballë mes dy palëve që nga viti 2015, kur u arrit marrëveshja për programin bërthamor të Iranit. Donald Trump e anuloi këtë marrëveshje në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë në detyrë.
Burimi: opinion.al


