Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar qeverinë për abuzime me fondet publike në tenderat e infrastrukturës.
Ne një konference me gazetarë, Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku se kanë ndërtuar “rrugë të florinjta” që shemben vetëm pak muaj pas inaugurimit, duke u ndalur tek aksi Qukës Qafë-Plloçë.
Berisha theksoi se problematika lidhet me cilësinë e dobët të ndërtimit, duke akuzuar autoritetet se kanë lënë skarpatet pa asnjë lloj përforcimi.
“Natyrisht kur përdor tenderat për të vjedhur 90 deri në 98 përqind të investimit, siç ndodh me Lubi Ballukun dhe Edi Ramën në tenderat e infrastrukturës, kur ndërton rrugë të florinjta që shemben tre muaj pas inaugurimit nga 73 milionë euro në 360 milionë, si rruga Qukës-Qafë Plloçë e cila edhe sot është shembur, dhe do shembet vazhdimisht sepse skarpatet janë lënë natyrore, pa asnjë lloj përforcimi.
Unë duhet t’u them qytetarëve se përforcimi i skarpatës është kushti i të gjitha kushteve në ndërtimin e rrugëve. Skarpata më e rrezikshme në Shqipëri është skarpata Kardhiq-Tepelenë, por kompania që e ka ndërtuar dhe supervizori kanë punuar ndoshta edhe dy vite vetëm me skarpatën, e cila është gjeologjikisht më e dëmtueshmja. Por nuk ka lëvizur një gurë sepse skarpatat janë pjesë kryesore e rrugës. Kurse këta kanë shtruar asfaltin dhe i kanë lënë siç i kanë hapur dhe tani derdhen mbi rrugë”, tha Sali Berisha.
Burimi: botasot.info


