LSDM-ja vazhdon ta quaj dorë të zgjatur të Mickoskit dhe Platformë ZNAM 2.0 nismën e një pjese të anëtarëve të LSDM-së për “bisedë për të ardhmen në 12 e 5”. Duke reaguar për prononcimin e ish nënkryetarit Igor Ivanovski i cili tha se Filipçe nuk ka pasur sukses me drejtimin e partisë, nga LSDM-ja thonë se u vërtetua se qëllimi i platformës nuk është debati por shkatërrimi i LSDM-së.
“Igor Ivanovski pranoi publikisht se platforma nuk ishte për ndonjë “bisedë për të ardhmen” e Maqedonisë, por për shkatërrimin e LSDM nga brenda. Pasi ZNAM dështoi, Mickoski tani po përpiqet ta dobësojë LSDM-në me një projekt të ripaketuar dhe ta ridrejtojë debatin publik brenda LSDM-së në vend se te krimet e qeverisë. Këto përpjekje për të shkatërruar LSDM-në nga brenda nuk do të kenë sukses, ne do t’i mposhtim të gjithë satelitët e Mickoskit dhe grupin e tij të organizuar kriminal.” – LSDM.
Igor Ivanovski ish nënkryetar i LSDM-së është në grupin e atyre që kërkojnë debat e diskutime për të ardhmen. Në prononcimin e parë publik rreth platformës, ai tha se kemi një qeveri që nuk zbaton asnjë premtim dhe një opozitë që nuk e bën punën e saj.
“Venko është neurokirurg i shkëlqyer për të mos thënë më i miri sepse kjo s’më takon mua ta gjykoj. Këtë mendim e kam akoma. Ai gjithmonë dëshiron të ndihmojë. Unë edhe në periudhën e kaluar edhe tani publikisht, për herë të parë dhe të fundit flas për të si kryetar i LSDM-së dhe ai në atë rol nuk mund ta gjejë veten. A është mungesë kapaciteti, apo është mungesë njohurie, që është legjitime, por mund të jetë edhe mungesë dëshire. Unë mendoj se është kjo e fundit,” deklaroi Igor Ivanovski, LSDM.
Ditë më parë, ish funksionarët e LSDM-së kanë promovuar një platformë të re përmes së cilës kërkojnë reforma brenda partisë me të cilën udhëheqë Venko Filipçe. Diskutimi është zhvilluar nën moton “Biseda për të ardhmen në ora 12:05”, duke theksuar se tanimë ka kaluar koha, por nuk duhet të jetë shumë vonë për Maqedoninë.
Pjesëmarrësit janë të ndarë në tre grupe joformale, aktivistë civilë të cilët dikur kanë qenë anëtarë të LSDM-së, ish ushtrues funksionesh publike dhe anëtarë të LSDM-së në periudha të ndryshme. Në ngjarje u pa edhe deputetja aktuale e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska, por edhe ish funksionarë të tjerë si Emilijan Stankoviq, Aleksandar Bajdevski, Gordan Georgiev, Sashko Mitrevski, Ivor Mickovski, Ema Neshkovska, Goran Stojkovski e të tjerë. /Alsat/
Burimi: alfax.mk

