Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës duhet të hapet ndaj personaliteteve të respektuara të cilat aktualisht nuk janë të përfshira në politikë aktive, në mënyrë që të forcohet para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Në një postim në facebook, Lladrovci theksoi se Kosova ka nevojë për ndryshim të menjëhershëm të kursit politik dhe për një kthesë të fortë që PDK-ja mund ta arrijë vetëm duke u zgjeruar me figura me autoritet shoqëror e profesional.
Ai përmendi disa emra të njohur, duke theksuar se prezenca e tyre do ta fuqizonte ndjeshëm partinë: Sylejman Selimi, Fatmir Limaj, Rrustem Mustafa, Atifete Jahjaga, Buna Mustafa, Kolë Berisha, si dhe vajzat e Profesor Anton Çettës, Agata dhe Donika Çetta.
“Skena politike ka nevojë për kompetencë, përkushtim dhe besim, me burime njerëzore për shtet dhe përfaqësim të duhur. Për kureshtje, nëse e shohim përbërjen e degës së PDK-së në Prishtinë para dy dekadave kishte dhjetëra profesorë e doktor shkencash, të cilët sot i mungojnë PDK-së dhe Parlamentit”, ka shkruar Lladrovci.
Burimi: botasot.info


