Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është kapur dhe është larguar me aeroplan nga Venezuela pasi SHBA-të kryen një sulm në shkallë të gjerë në kryeqytetin e Karakasit, njoftoi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Shpërthime të forta janë dëgjuar rreth orës 2 të natës me orën lokale në kryeqytetin e Venezuelës, Karacas. Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve raportojnë për avionë ushtarakë që fluturonin në lartësi të ulët dhe për “të paktën shtatë shpërthime”. Wall Street Journal flet gjithashtu për praninë e helikopterëve ushtarakë.
Zyrtarë amerikanë i thanë CBS se presidenti Trump ka urdhëruar sulme ndaj Venezuelës, përfshirë objekte ushtarake. Qeveria venezueljane foli për agresion të Amerikës, ndërsa Nicolas Maduro shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendi. Kreu i shtetit kolumbian Gustavo Petro shkroi në platformën X: “Po bombardojnë Karakasin. Lajmëroni të gjithë botën, Venezuela është sulmuar. Po bombardojnë me raketa”.
Në rrjetet sociale janë publikuar pamje të zjarreve të mëdha me kolona tymi, shkruan AFP, por nuk është e mundur të përcaktohet me saktësi vendndodhja e shpërthimeve. Sipas informacioneve të para, objektivat e goditura dyshohet se kanë qenë baza ushtarake, veçanërisht kazermat më të rëndësishme të vendit, Fort Tiuna, dhe baza ajrore La Carlota.
Sipas CNN, disa lagje të Caracas kanë mbetur pa energji elektrike. Prej javësh tensionet mes qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe asaj të Venezuelës janë shumë të larta, ndërsa ushtria amerikane ka shënjestruar kohët e fundit mjete lundruese që dyshohet se përdoren nga trafikantë droge.Të premten, Venezuela deklaroi se ishte e hapur për të negociuar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike. Megjithatë, Maduro u shpreh në një intervistë të regjistruar më herët dhe transmetuar të enjten se SHBA-ja kërkon një ndryshim qeverie në Venezuelë dhe synon qasje te rezervat e saj të mëdha të naftës, përmes një fushate presioni që ka zgjatur prej muajsh dhe që ka nisur me një dislokim masiv ushtarak në Detin e Karaibeve ne muajin gusht.
Reagimi i Donald Trump
Donald Trump pohoi lajmet se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës, e befasoi me deklaratën se tashmë janë kapur e larguar me avion nga vendi presidenti venezueljan Nicolas Maduro, së bashku me gruan e tij. “Ky operacion u krye në bashkëpunim me forcat e ligjit të SHBA-së. Detajet do të vijojnë më vonë. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, ishte mesazhi i tij në rrjetin social Truth Social.
Trumpi është zotuar vazhdimisht se do të kryente operacione tokësore në Venezuelë, e cila është prodhuese e naftës në Amerikën e Jugut, dhe e cila udhëhiqet nga Maduro që nga viti 2013. Shtetet e Bashkuara, opozita venezuelase dhe disa vende të tjera thonë se Maduro i manipuloi zgjedhjet vitin e kaluar për të qëndruar në pushtet. Trump nuk i ka treguar në hollësi qëllimet e tij, por, sipas Reutersit, ai ka ushtruar privatisht trysni ndaj Maduros që të largohet nga vendi. Të hënën, kreu i shtetit amerikane qe shprehur se do të ishte mencuri nga ana e Maduros të largohej vetë nga pushteti.
Reagime të forta ndërkombëtare
Reagimet kanë nisur nëpër botë, me Rusinë që e dënoi aksionin ushtarak të SHBA-së në Venezuelë duke thënë se nuk ka asnjë justifikim të qëndrueshëm për sulmin dhe se ideologjia ka mbizotëruar mbi diplomacinë. “Këtë mëngjes, Shtetet e Bashkuara kryen një akt agresioni të armatosur kundër Venezuelës. Kjo është thellësisht shqetësuese dhe e dënueshme”, deklaroi Ministria e Jashtme Ruse duke shtuar se “armiqësia ideologjike ka triumfuar mbi pragmatizmin e biznesit”. Spanja u ofrua menjëherë të ndërmjetësojë mes palëve për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Venezuelën. Ambasada e Italisë në Karakas i këshilloi qytetarët italianë që ndodhen atje të mos dalin nga shtëpitë, teksa kryeministrja Giorgia Meloni po e monitoron me kujdes situatën. Liderët e Kubës dhe Kolumbisë i dënuan ashpër shpërthimet e kërkuan një reagim urgjent nga komuniteti ndërkombëtar kundër atij që e përshkruan si sulm kriminal të SHBA-së ndaj Venezuelës. Presidenti kuban Miguel Diaz-Canel shkroi në platformën X se rajoni po “sulmohet brutalisht” dhe e quajti këtë “terrorizëm shtetëror kundër popullit të guximshëm venezuelian”. Trumpi e ka akuzuar Venezuelën se po e mbush SHBA-në me drogë, dhe administrata e tij prej muajsh ka bombarduar anije që vijnë nga Amerika e Jugut, të cilat pretendon se transportonin drogë.
Sipas zyrtarëve ushtarakë amerikanë të cituar nga CBS, Trump kishte dhënë miratimin për planin e sulmit të sotëm prej ditësh. Ishte shqyrtuar mundësia që misioni të kryhej ditën e Krishtlindjes, por sulmet ajrore amerikane në Nigeri kundër objektivave të Shtetit Islamik patën përparësi, sipas burimeve.
12:06 Dikur shofer autobusi, çfarë dihet për 12 vitet e diskutueshme të Maduros si udhëheqës i Venezuelës
Presidenti venezuelian Nicolas Maduro ishte një aleat i hershëm i udhëheqësit populist të Venezuelës, Hugo Chavez, dhe e pasoi atë pasi ky i fundit vdiq nga kanceri në vitin 2013. Ish-shoferi i autobusit dhe udhëheqësi i sindikatës nuk pati kurrë mbështetjen popullore dhe as karizmën që zotëronte Chavez, dhe fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2013 u kontestua nga opozita. Gjatë mandatit të Maduros që atëherë, Venezuela ka parë periudha trazirash dhe krize ekonomike, mes një numri gjithnjë e në rritje sanksionesh amerikane dhe keqmenaxhimit të industrisë kritike të naftës në vend.
11:52 Sulmi amerikan në Karakas, Ministri i Mbrojtjes së Venezuelës: Ne do t’i rezistojmë trupave të huaj
Venezuela do t’u rezistojë trupave të huaja, tha Ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino Lopez në një mesazh video të publikuar ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro ishte kapur dhe larguar nga vendi. Sulmi i nisur nga forcat e armatosura amerikane në agim në Venezuelë goditi zonat e banuara, tha Padrino, duke shtuar se autoritetet po mbledhin informacione për të vdekurit dhe të plagosurit.
11:45 Video/ Frikë dhe panik tek banorët në Karakas, pas sulmit amerikan ndaj Venezuelës
Në orët e fundit, Karakasi ka qenë në një gjendje tronditjeje dhe trazirash, pas sulmit të nisur nga SHBA-të. Shpërthime janë dëgjuar në disa lagje të kryeqytetit, me imazhe që përshkruajnë terror dhe shkatërrim. Qeveria venezueliane e denoncon sulmin si një “veprim shumë serioz ushtarak”, ndërsa ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, me Donald Trump që njoftoi se Nicolas Maduro është arrestuar dhe ndodhet jashtë Venezuelës.
11:40 Sulmet amerikane në Venezuelë dhe largimi i Maduros, reagimet nga Spanja, Italia dhe Rusia
Spanja u ofrua menjëherë të ndërmjetësojë mes palëve për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Venezuelën. Ambasada e Italisë në Karakas i këshilloi qytetarët italianë që ndodhen atje të mos dalin nga shtëpitë, teksa kryeministrja Giorgia Meloni po e monitoron me kujdes situatën. Liderët e Kubës dhe Kolumbisë i dënuan ashpër shpërthimet e kërkuan një reagim urgjent nga komuniteti ndërkombëtar kundër atij që e përshkruan si sulm kriminal të SHBA-së ndaj Venezuelës. Presidenti kuban Miguel Diaz-Canel shkroi në platformën X se rajoni po “sulmohet brutalisht” dhe e quajti këtë “terrorizëm shtetëror kundër popullit të guximshëm venezuelian”.
11:39 Rusia dënon sulmet ndaj Venezuelës: Të gatshëm për të ndërmjetësuar dhe për të gjetur një zgjidhje
Sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme Ruse, në rastin e Venezuelës është e rëndësishme të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm i krizës dhe të gjendet një zgjidhje përmes dialogut. Në të njëjtën kohë, Ministria dënoi sulmet në Karakas dhe zona të tjera dhe deklaroi gatishmërinë e Rusisë për të ndihmuar në dialogun midis palëve ndërluftuese. Përveç kësaj, deklaroi se Rusia qëndron pranë qytetarëve të Venezuelës.
Imazhet tregojnë një konvoj helikopterësh dhe aeroplanësh ushtarakë që fluturojnë ulët mbi Venezuelë. Shtetet e Bashkuara kanë nisur një sulm kundër disa vendeve dhe bazave ushtarake në Venezuelë. Shpërthime u regjistruan në Karakas dhe vende të tjera, veçanërisht në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira.
Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, deklaroi se qeveria nuk ka informacion mbi vendndodhjen e presidentit Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores. Rodriguez, në një mesazh të transmetuar në audio nga kanalet shtetërore, tha se autoritetet “kërkojnë prova të menjëhershme”, duke theksuar shqetësimin për sigurinë e dy figurave kryesore të qeverisë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të shtunën në mëngjes në një postim në rrjetin Truth Social se presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe bashkëshortja e tij janë “kapur dhe larguar me aeroplan nga vendi”, pas asaj që ai e përshkroi si sulme ushtarake amerikane në Venezuelë.
Mediat venezueliane raportojnë se Shtetet e Bashkuara sulmuan gjithashtu kompleksin Cuartel de la Montaña në Karakas, një ish-muze ushtarak që u shndërrua në mauzole për Hugo Chavezin pas vdekjes së tij. Eshtrat e ish-liderit venezuelian mbahen atje.
Qeveria e Venezuelës, në reagimin e saj të parë pas nisjes së sulmeve, deklaroi të shtunën në mëngjes se “dënon dhe i shpreh kundërshtimin e saj ndaj agresionit shumë serioz ushtarak të qeverisë amerikane.” Venezuela tha se sulmet kishin në shënjestër objektiva civile dhe ushtarake në qytetin e Karakasit dhe shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira.
09:34 Venezuela akuzon SHBA-në për ‘agresion të rëndë ushtarak’, shpërthimet tronditin Karakasin
Qeveria e Venezuelës ka dënuar atë që e quajti një “agresion ushtarak shumë serioz” nga Shtetet e Bashkuara, pasi shpërthime u raportuan gjatë natës në Karakas dhe në disa zona të tjera të vendit. Autoritetet në Karakas akuzuan SHBA-në për sulme në kryeqytet dhe në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira. Presidenti Nicolás Maduro njoftoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe urdhëroi zbatimin e të gjitha planeve të mbrojtjes kombëtare “në kohën dhe rrethanat e duhura”.
09:24 A mund t’i bëjë ballë Maduro SHBA-së? Ja armët që ai disponon
Pyetja thelbësore është nëse Venezuela “ka ushtrinë dhe armët” e nevojshme për të mbështetur kërcënimet e saj. Përgjigja është pozitive në nivel portofoli, me “por” të konsiderueshme në gatishmëri. Forcat e armatosura (FANB) numërojnë mbi njëqind mijë personel aktiv, ndërsa Maduro e paraqet Milicinë Kombëtare si një “mburojë” multi-milionëshe, por kryesisht një mjet kontrolli të brendshëm dhe legjitimimi politik. Vlerësimet e pavarura e vendosin disponueshmërinë aktuale më të ulët, me kapacitetin e përgjithshëm të prekur nga vitet e krizës ekonomike dhe mirëmbajtjes.
09:02 Video/ Shpërthime dhe sirena sulmesh ajrore në Karakas, Maduro shpall gjendjen e jashtëzakonshme
Sirena sulmesh ajrore dhe shpërthime u dëgjuan në orët e para të së shtunës në kryeqytetin venezuelian , Karakas, me Presidentin Nicolas Maduro që shpalli në një përgjigje fillestare –vendin në gjendje të jashtëzakonshme. Sipas raportimeve, një nga objektet që është goditur është Kalaja Tiuna në anën jugore të qytetit, kompleksi kryesor ushtarak i Venezuelës, ku ndodhen ndër të tjera Ministria e Mbrojtjes dhe Akademia Ushtarake.
Top Channel
Burimi: top channel


