Presidenti Nicolss Maduro dhe gruaja e tij, Zonja e Parë Cilia Flores, po mbahen në një qendër paraburgimi në New York pas kapjes së tyre në sulmet ajrore amerikane ndaj Venezuelës të shtunën.
Ata u dërguan nga kryeqyteti Karakas në Qendrën e Paraburgimit Metropolitan në Brooklyn për t’u përballur me akuza të lidhura me trafikimin e drogës. Maduro ka mohuar të jetë udhëheqësi i një karteli droge.
Venezuela ndërkohë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare dhe denoncon atë që e quan “agresionin ushtarak”.
Presidenti Donald Trump thotë se SHBA-të do ta “drejtojnë” Venezuelën “deri në kohën kur të mund të bëjmë një tranzicion të sigurt, të duhur dhe të mençur”. Kompanitë amerikane të naftës do të riparojnë gjithashtu “infrastrukturën e prishur” të Venezuelës, thotë Trump.
Venezuelianët në mbarë botën kanë festuar pasi qeveria amerikane kapi dhe rrëzoi presidentin autoritar, Nicolás Maduro . Gjatë viteve të fundit, miliona venezuelianë janë larguar nga vendi, të dëbuar nga një përzierje e mungesave të përhapura dhe represionit të fortë politik.
Pasi dëgjuan lajmin e sulmit amerikan, turma njerëzish u mblodhën në vende si Argjentina, Kili dhe Kolumbia, për të valëvitur flamuj, për të kënduar këngë dhe për të kërcyer në shenjë gëzimi, ndërsa të tjerë u mblodhën për të dënuar sulmet e qeverisë amerikane ndaj Venezuelës dhe shprehën kundërshtimin ndaj veprimeve ushtarake.
Operacioni, i pagëzuar “Maduro Out”, kishte nisur të përgatitej që verën e kaluar, kur Donald Trump autorizoi CIA-n të kryente operacione të fshehta në Venezuelë. Objektivi ishte i qartë: ndjekja hap pas hapi e udhëheqësit venezuelian, studimi i rrethit të tij të sigurisë dhe identifikimi i pikave të dobëta në aparatin ushtarak dhe mbrojtës të regjimit.
13:50 Analiza/ Si e interpreton Kina lëvizjen arrestimin e Maduros nga SHBA-të
Ky ndryshim nuk kalon pa u vënë re nga Pekini. Përkundrazi. Kina e lexon qëndrimin e ri të Uashingtonit jo si një kërcënim, por si një precedent. Nëse SHBA-të rivendosin logjikën e sferave të ndikimit, atëherë hapet rruga për “interpretime” përkatëse nga fuqi të tjera të mëdha, fuqi të sotme, fuqi që Trump i ka vënë qartë në kornizë dhe që kanë mjetet dhe mënyrën për t’u përballur me SHBA-në në fronte të shumëfishta dhe shumëpalëshe.
Përfaqësuesja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez mbajti një qëndrim ndaj arrestimit të Nicolas Maduros dhe gruas së tij nga forcat amerikane në Venezuelë, duke sulmuar Donald Trumpin, duke e quajtur atë një “shpërqendrim”. Në një postim, politikania dhe aktivistja shkroi: “Nuk u bë për drogën. Nëse kjo do të ishte arsyeja, Trump nuk do ta kishte falur një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë. Është bërë për naftë dhe ndryshim regjimi. Dhe ata kanë nevojë për një gjyq tani për të pretenduar se nuk është kështu. Sidomos si një shpërqendrim nga çështja Epstein dhe kostot shumë të larta shëndetësore.”
13:04 Pse Maduro u lidh me gruan e tij për njëzet vjet para se të martohej fshehurazi
Për dy dekada, udhëheqësi i rrëzuar i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe Cilia Flores, e paraqitën veten si një çift i fuqishëm politik, shumë të përqendruar në idealet e tyre revolucionare pa u shqetësuar të martoheshin. Shumë veta në elitën e majtë të shtetit socialist e konsiderojnë martesën si një shpërqendrim “borgjez”. Kështu që erdhi si surprizë në vitin 2013 kur diktatori njoftoi se ai dhe Flores kishin zyrtarizuar fshehurazi bashkimin e tyre në një “event të vogël familjar” pas më shumë se 20 vitesh së bashku. Por larg të qenit një gjest romantik, dasma ishte një tjetër veprim politik i llogaritur, i projektuar për t’i dhënë Flores një pozicion shumë më të madh sesa thjesht ai i një gruaje.
12:49 Koreja e Veriut dënon kapjen e Maduros nga SHBA: Cenim serioz i sovranitetit
Koreja e Veriut ka dënuar kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro nga Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar atë si një “cenim serioz të sovranitetit”. Në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetërore KCNA, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut tha se Pheniani “denoncon fuqishëm aktin hegjemonist të SHBA-së të kryer në Venezuelë”. Sipas tij, “incidenti është një tjetër shembull që konfirmon qartë edhe një herë natyrën e egër dhe brutale të SHBA-së”.
Top Channel
Burimi: top channel


