Dy ditë pas “prerjes së kokës” së regjimit çavist me deportimin e Maduros dhe bashkëshortes së tij në Shtetet e Bashkuara, ende nuk është e qartë se si SHBA-të do ta ushtrojnë atë lloj “qeverisjeje me mandat” mbi Venezuelën, të shpallur nga Trumpi.
Në konferencën për shtyp të së shtunës, presidenti ia besoi këtë detyrë ministrave të tij dhe mbi të gjitha sekretarit të Shtetit.
Marco Rubio, djali i emigrantëve kubanë, gjuha amtare e të cilit është spanjishtja dhe me një karrierë politike të ndërtuar mbi kundërshtimin ndaj regjimeve marksiste të Amerikës Latine, është padyshim protagonisti kryesor i “operacionit Venezuelë”, aq sa disa gazeta tashmë e quajnë mëkëmbës. Në fund të fundit, ishte pikërisht ai që negocioi, duke folur spanjisht, me Delcy Rodríguez-in, zëvendësen e Maduros që ka marrë presidencën.
“Pilotim nga distanca”
Por Rubio e di gjithashtu se ekspozimi i tepruar mund të kthehet në një kurth vdekjeprurës, sidomos nëse ndryshimi i regjimit në Venezuelë shndërrohet në një moçal për Amerikën: Trumpit nuk do t’i duhej shumë kohë t’ia ngarkonte atij përgjegjësinë për dështimin. Prandaj, kreu i diplomacisë përpiqet të korrigjojë kursin, duke theksuar synimin për të “pilotuar nga distanca” përmes qeverisësve venezuelianë. Cilëve? Kjo mbetet e paqartë.
E vetmja gjë e qartë është vullneti për të mos përsëritur gabimet e bëra nga George Bush në vitin 2003 me pushtimin e Irakut. “Do të bëjmë saktësisht të kundërtën”, deklaron ministri i Luftës, Pete Hegseth, ndërsa një bashkëpunëtor anonim i sekretarit të Shtetit shpjegon se “nuk po përpiqemi të ‘debaathizojmë’ Venezuelën”. Përkthimi: 23 vjet më parë, Bushi u iluzionua se mjaftonte eliminimi i Saddam Husseinit për t’u pritur nga i gjithë Iraku si shpëtimtar. Por shkatërrimi i partisë Baath prodhoi një shpërthim copëzimesh që ushqyen një luftë civile rraskapitëse.
Kërcënimi për një bastisje të dytë
Marco Rubio për momentin flet kryesisht për metodologji: anëtarët e regjimit të Maduros që pranojnë të bashkëpunojnë do të marrin udhëzime dhe do të gjykohen mbi bazën e zbatimit të tyre. Gjithmonë nën kërcënimin e një bastisjeje të dytë, më të thellë amerikane, në rast të mungesës së bashkëpunimit.
Fronti arktik
Dhe Trumpi, edhe në këtë pikë, nuk tërhiqet: “Nëse nuk ndjekin direktivat tona, do të kenë të njëjtin fat si Maduro, ndoshta edhe më të keq.” Pastaj, sikur të mos mjaftonte përgjegjësia e jashtëzakonshme që ka marrë përsipër në Venezuelë, presidenti amerikan rihap edhe frontin e Groenlandës: në një intervistë për The Atlantic deklaron se ai territor, që i përket një vendi aleat në NATO, Danimarkës, “na duhet patjetër: është një ishull i rrethuar nga anije ruse dhe kineze”.
Kuba në shënjestër
Rubio, i kujdesshëm për ndërhyrje të drejtpërdrejta në Venezuelë, e ndjek Trumpin në shpërndarjen e kërcënimeve nëpër botë. Të tërthorta ndaj Kolumbisë, më të hapura kundër Kubës: “Po të isha në vendin e drejtuesve të tyre, nuk do të flija rehat. Ai vend është një katastrofë, do të duhet të merremi me të.”
Por, duke u kthyer te Karakasi, me kë dëshiron të qeverisë Rubio? Trumpi kishte folur për zëvendësen e Maduros, Delcy Rodríguez-in, të emëruar presidente e përkohshme nga Gjykata Supreme venezueliane. E gatshme të bashkëpunojë me amerikanët, sipas The Donald. Por pak më vonë Rodríguez e përgënjeshtroi, duke riafirmuar besnikërinë e saj ndaj Maduros. Dje, Rubio dha përshtypjen se po ndryshonte kurs: “Nuk është presidente legjitime: nuk e themi vetëm ne, ky është gjykimi i 60 vendeve”.
Bllokimi i bandave
Por ndoshta, duke parë edhe kërcënimet e ashpra të Trumpit, bëhet fjalë kryesisht për një mënyrë për të ushtruar presion mbi Rodríguez-in dhe figura të tjera me ndikim të regjimit çavist: “Nuk më intereson çfarë kanë bërë në të kaluarën apo çfarë thonë sot publikisht. Do t’i gjykojmë për atë që do të bëjnë”.
Dhe lista e detyrave të përcaktuara nga Rubio është e gjatë: t’i japin fund trafikut të drogës, të bllokojnë bandat kriminale, të riaktivizojnë nxjerrjen e naftës duke u mbështetur te korporatat e mëdha amerikane, të dëbojnë rebelët marksistë kolumbianë të FARC-ut dhe ELN-së, të ndërpresin marrëdhëniet me Iranin dhe Hezbollahun.
Karakasi kundër Parisit
Nuk do të jetë e lehtë të bindësh hierarkët e vjetër të Maduros: dje, për shembull, ministri i Jashtëm dëboi dy nga tre diplomatët francezë që kishin mbetur në Karakas, duke i konsideruar si ndërhyrje të papranueshme deklaratat e presidentit Macron, udhëheqës i opozitës ndaj diktatorit të rrëzuar. Një tjetër “arrë e fortë” është ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, i akuzuar në vitin 2017 se kishte tentuar të organizonte vrasjen e Rubios, atëherë senator i Floridës. Por për momentin as ai dhe as vëllai i tij, një tjetër figurë e lartë e regjimit, nuk janë kapur: duket se po kërkohet edhe bashkëpunimi i tyre.
Çështja e bujshme penale kundër presidentit venezuelian Nicolás Maduro i është caktuar gjyqtarit federal 92-vjeçar Alvin K. Hellerstein, i cili u nominua dhe u konfirmua në këtë detyrë nga presidenti Bill Clinton në vitin 1998.
Hellerstein shërben si gjyqtar i lartë (senior judge) që prej vitit 2011 në Distriktin Jugor të Nju Jorkut. Gjatë karrierës së tij, ai ka drejtuar një sërë çështjesh të ndjeshme, përfshirë ato që lidhen me sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, si edhe raste të tjera që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe sigurinë kombëtare.
Një eskortë me presidentin Nicolas Maduro u largua nga Qendra Metropolitan e Paraburgimit në Brooklyn, New York, ku ai është mbajtur për dy ditët e fundit për akuza për trafikim droge dhe armësh.
Maduro, i cili pritet të paraqitet në një gjykatë të New Yorkut gjatë ditës së sotme, doli nga një automjet i blinduar që ishte pjesë e eskortës, i veshur me një kostum ngjyrë kafe, dhe u fut në një helikopteri.
11:46 ANALIZA/ Pse bastisja e Trumpit në Venezuelë mund ta afrojë Rusinë dhe Kinën më pranë njëra-tjetrës
Venezuela është një anëtare e plotë e asaj që quhet Internacionalja Iliberale, klubi i shteteve autokratike dhe shkelëse të sanksioneve që bashkëpunojnë për të kufizuar ndikimin amerikan në rajonet e tyre përkatëse. Është një bosht i shteteve që anashkalojnë sanksionet dhe ato, Rusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani, si edhe Venezuela, qeshin me përbuzje sa herë që një cisternë me naftë të ndaluar kalon rrjetet perëndimore të monitorimit dhe shkarkon ngarkesën e saj.
Vetëm disa orë pasi shpalli nga brenda tendës së “Tea Room” në Mar-a-Lago se udhëheqësi venezuelian Nicolas Maduro ndodhej në duart e SHBA-së dhe se Amerika po menaxhonte situatën në vend, Presidenti Donald Trump doli triumfues në verandën e klubit të tij të mbushur me të ftuar, të cilët e duartrokitën për misionin e guximshëm që ai kishte urdhëruar vetëm disa metra më parë.
10:56 Ndryshime në tregun global/ Çmimet e naftës bien pas arrestimit të Maduros, rriten ari dhe argjendi
Pas ngjarjeve të fundjavës në Venezuelë me arrestimin e Nicolas Maduro, çmimet e naftës ranë të hënën, pasi analistët thanë se çdo ndërprerje në eksportet e vendit do të zëvendësohej lehtësisht nga furnizimet e tjera globale. Ndërkohë, çmimet e metaleve të çmuara u rritën, teksa investitorët zhvendosën paratë drejt aseteve “strehë të sigurta”. Çmimi i arit u rrit me rreth 2% duke arritur në 4,408 dollarë për ons, ndërsa argjendi shënoi një rritje prej 3.5%.
Rreth 32 shtetas kubanë janë vrarë gjatë sulmeve amerikane për të kapur presidentin venezuelian Nicolás Maduro. Venezuela u ka bërë homazhe viktimave, duke thënë se ata “dhanë jetën e tyre në krye të detyrës”.
09:47 Sot gjyqi për Maduron, ngrihet një tjetër aktakuzë/ SHBA: Ishte bosht i një karteli shtetëror droge
Prokurorët amerikanë akuzojnë presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, se është figura kyçe e një karteli të përbërë nga zyrtarë të lartë politikë dhe ushtarakë, të cilët për dekada kanë bashkëpunuar me grupe të trafikut të drogës dhe organizata të shpallura terroriste nga SHBA-ja për të përmbytur tregun amerikan me kokainë.
08:57 Kina i kërkon SHBA-së lirimin e menjëhershëm të Maduros: Shkelje e ligjit ndërkombëtar
Kina i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të lirojnë menjëherë presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, duke e cilësuar operacionin ushtarak amerikan për kapjen e tij si shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar.
Presidenti amerikan, Donald Trump tha se se njerëzit e tij janë në kontakt me presidenten e përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodriguez, por nëse ajo nuk i dëgjon udhëzimet e SHBA-së, do të përballet me një fat të ngjashëm me atë të Maduros. Presidenti më vonë u pyet për kërcënimet që po bëhen kundër Kubës dhe nëse SHBA-të planifikojnë apo jo të bëjnë një veprim të ngjashëm në atë komb të Karaibeve, pyetje të cilës shefi i Shtëpisë së Bardhë iu përgjigj duke thënë se Kuba është vend që do bjerë vetë.
07:35 Trump e akuzoi si trafikant droge, reagon presidenti kolumbian: Ndaloni së shpifuri për mua
Presidenti kolumbian Gustavo Petro hodhi poshtë të dielën kërcënimet dhe akuzat e homologut të tij amerikan Donald Trump, i cili vazhdon ta akuzojë atë për trafik droge. “Emri im nuk shfaqet në dosjet gjyqësore për trafik droge. Ndaloni së shpifuri për mua, Trump”, shkroi presidenti kolumbian nëpërmjet X.
Top Channel
Burimi: top channel


