Më 30 qershor dhe 3 korrik 2025, në qytetet e Korçës dhe Shkodrës u zhvilluan trajnime për rritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. Aktivitetet u zhvilluan në kuadër të projektit “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri përmes fuqizimit të OSHC-ve lokale”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Qendra ALERT në partneritet me EMA.
Qëllimi është përfshirja aktive e OSHC-ve në politikëbërje, ndërtimi i një rrjeti kombëtar për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbështetja e integrimit në BE. Në trajnime morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës, të cilët diskutuan mbi legjislacionin në fuqi, detyrimet e institucioneve dhe biznesit, si dhe të drejtat themelore të konsumatorëve: siguria ushqimore, shëndeti, e drejta për informacion, ankesa dhe përfaqësim.
Lektoret Ersida Teliti dhe Klotilda Neziri theksuan nevojën për qasje praktike dhe për trajtim të rasteve konkrete si cilësia e shërbimeve telefonike, siguria ushqimore dhe farmaceutike. Organizatat pjesëmarrëse u angazhuan për t’u bashkuar me Rrjetin e OSHC-ve për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Këto aktivitete vijojnë pas trajnimeve të mbajtura më 10 qershor në Fier dhe më 14 maj në Tiranë, ku u lançua Linja e Gjelbër 0800 26 26 për raportimin e shkeljeve dhe u prezantua rrjeti kombëtar i OSHC-ve për konsumatorin.
Në tërësi, ky cikël trajnimesh po kontribuon në ndërtimin e një strukture të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e konsumatorit në Shqipëri.
Për çdo shkelje apo problematikë, qytetarët mund të raportojnë falas. Mjafton të telefonojnë në numrin 0800 26 26 Linja e Gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit.
Burimi: botasot.info