ligji i speciales hap dilema per pdk ne a po behet haga pengese per te ardhmen e partise jakupi kerkon ndryshime 6b082163365a1

Ligji i Speciales hap dilema për PDK-në, a po bëhet Haga pengesë për të ardhmen e partisë? Jakupi kërkon ndryshime

November 26, 2026
min lexim

Pranimi i shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, se partia fillimisht ishte kundër kthimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend, por më pas ndryshoi qëndrim pas konsultimeve me ekspertë, ka nxitur diskutime për vendimmarrjen dhe strategjinë politike të kësaj partie.

Tahiri e cilësoi këtë vendim si një goditje politike për PDK-në, të cilën partia, sipas tij, e mori me vetëdije, duke vendosur interesin e procesit të apelit mbi përfitimin politik. Megjithatë, ky ndryshim i qëndrimit ngre pikëpyetje për konsistencën politike të partisë dhe raportin ndërmjet interesit partiak dhe atij që ajo e konsideron interes kombëtar.

Lidhur me këtë zhvillim, për “Bota sot” ka folur analisti politik Zejnulla Jakupi, i cili vlerëson se ndryshimi i qëndrimit të PDK-së është dëshmi e papërgatitjes politike dhe mungesës së një strategjie të qartë institucionale.

Image

Zejnulla Jakupi

Sipas tij, një parti që synon të jetë alternativë qeverisëse duhet t’i ketë të qarta qëndrimet e saj, veçanërisht për çështje të ndjeshme juridike dhe politike. Jakupi konsideron se ndryshimet e qëndrimeve në momente të fundit mund të dëmtojnë besueshmërinë e partisë para elektoratit.

Duke komentuar nëse ndryshimi i qëndrimit ishte një domosdoshmëri politike apo një tërheqje që mund të ndikojë në imazhin e PDK-së, Jakupi shprehet:

“Mendoj se ky vendim është dëshmi e një papërgatitjeje të vazhdueshme politike dhe mungesës së një strategjie të qartë institucionale nga ana e PDK-së. Një parti që synon të jetë alternativë qeverisëse duhet t’i ketë të qarta qëndrimet e saj, sidomos për çështje kaq të ndjeshme juridike dhe politike. Nuk është serioze që fillimisht të kundërshtohet një proces, e pastaj, pas konsultimeve, të ndryshohet qëndrimi, duke e paraqitur këtë si sakrificë politike.

PDK-ja duhet ta kuptojë se besueshmëria politike nuk ndërtohet përmes vendimeve të improvizuara dhe ndryshimeve të qëndrimeve në momentet e fundit. Për më tepër, çdo iniciativë që prek rendin kushtetues dhe marrëveshjet ndërkombëtare duhet të trajtohet me përgjegjësi të jashtëzakonshme. Çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara nuk duhet të bëhen instrument i kalkulimeve partiake”, deklaron ai për “Bota sot”.

Ndërkaq, duke folur për pranimin e Arian Tahirit se ky vendim i kushtoi politikisht PDK-së, analisti vlerëson se partia vazhdon të përballet me dilemën ndërmjet interesit të saj partiak dhe çështjes së udhëheqësve të saj që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

Ai thekson se PDK-ja duhet të reflektojë më thellë për identitetin dhe të ardhmen e saj politike, duke mos e lidhur vazhdimisht diskursin partiak me proceset gjyqësore të individëve të caktuar.

“Kjo tregon se PDK-ja vazhdon të jetë e përfshirë tepër në një dilemë ndërmjet interesit të saj partiak dhe çështjes së udhëheqësve të saj që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë. Problemi është se partia duket sikur ende nuk ka arritur të shkëputet politikisht nga kjo çështje dhe ta ndërtojë identitetin e saj përtej saj.

Unë mendoj se PDK-ja duhet të bëjë një reflektim shumë më të thellë. Ajo nuk mund ta ndërtojë të ardhmen e saj politike duke u përpjekur të mbrojë udhëheqësit e saj përmes ndryshimit të ligjeve apo përmes ndërhyrjeve që mund të bien ndesh me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Mbrojtja juridike e individëve u takon institucioneve dhe procedurave ligjore, ndërsa partia duhet të merret me përgjegjësinë e saj politike dhe me të ardhmen e vendit.

Në thelb, PDK-së i duhet një kapitull i ri politik. Ajo ka nevojë për një strukturë të re, për lidership të ri, për figura me kredibilitet dhe për një vizion që shikon përpara. Duhet të ketë guximin ta lërë çështjen e Hagës jashtë diskursit të saj të përditshëm politik dhe të mos e identifikojë më të ardhmen e partisë me fatin juridik të individëve të caktuar.

PDK-ja duhet të kuptojë se historia e saj nuk mund të jetë peng i së kaluarës. Ajo duhet të jetë në gjendje të reformohet, të prodhojë ide dhe alternativa të reja dhe t’i flasë qytetarit për ekonominë, arsimin, zhvillimin dhe integrimin evropian. Vetëm kështu mund ta rikthejë besimin e elektoratit dhe të dëshmojë se është parti me të ardhme, e jo thjesht një parti që vazhdon të mbrohet politikisht nga e kaluara e saj”, përfundon Jakupi për “Bota sot”.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

samiti be ballkani perendimor maqedonia e veriut pret edhe 75 milione euro dhe heqjen e roamingut 6b0810b0f28c8
Lajmi i mëparshëm

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Maqedonia e Veriut pret edhe 75 milionë euro dhe heqjen e roamingut

pas perjashtimit nga ps spiropalit i caktohet vendi ne rreshtin e fundit ne krahun e opozites 6b0821bcdf58a
Lajmi i radhës

Pas përjashtimit nga PS, Spiropalit i caktohet vendi në rreshtin e fundit, në krahun e opozitës

Të fundit nga

Zgjedhjet presidenciale në Serbi, më 27 dhjetor

Kryetari i Kuvendit të Serbisë dhe ushtruesi i detyrës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Çupiq, ka shpallur zgjedhjet e reja presidenciale të cilat do të mbahen më 27 dhjetor. “Shpresoj që të
ShkoLartë