Nga 1180 kandidatë për deputetë që ka certifikuar Komisioni Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e 28 dhjetorit, 789 apo 66.86 për qind janë burra, ndërkaq 391 apo 33.13 për qind janë gra.
Këtë e bëri të ditur kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në diskutimin që misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Ambasada e Francës, organizuan të hënën për pjesëmarrjen e grave në proceset zgjedhore.
Radoniqi tha se fuqizimi i rolit të grave në jetën demokratike është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit institucional dhe shoqëror.
Radoniqi: Proceset zgjedhore përbëjnë mekanizmin më të rëndësishëm për fuqizimin e demokracisë
“Gjithmonë ekziston hapësirë për përmirësim, për rishikim të qasjeve tona dhe për përshtatje me ndryshimet dhe nevojat që sjell koha, zhvillimet shoqërore dhe standardet bashkëkohore ndërkombëtare. Në këtë drejtim, avancimi i përfaqësimit gjinor mbetet një prioritet i përbashkët, që kërkon angazhim të vazhdueshëm nga të gjithë ne. Sigurisht se për një shoqëri që synon të ndërtojë dhe të forcojë themele të qëndrueshme demokratike, proceset zgjedhore përbëjnë mekanizmin më të rëndësishëm për fuqizimin e demokracisë dhe pjesëmarrjes qytetare. Në kontekstin e përfaqësimit gjinor dhe avancimit të tij, si institucion jemi të përfshirë drejtpërdrejt në dy dimensione kryesore gjatë organizimit të proceseve zgjedhore. Së pari, bëhet fjalë për zbatimin dhe garantimin e kuotës minimale prej 30% për pjesëmarrje dhe përfaqësim gjinor, ashtu siç parashihet me legjislacionin në fuqi dhe së dyti, për përfaqësimin gjinor në trupat e administrimit të zgjedhjeve”, tha ai.
Angazhim më të madh në fuqizimin e grave në institucione kërkuan edhe ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, dhe kryesuesi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk.
Diplomati francez tha se të gjitha veprimet që ndërlidhen me sigurinë, arsimin, shëndetësinë dhe politikën duhet të kenë fokus perspektivën gjinore për të fuqizuar rolin e grave.
Guerot: Të gjitha këto e integrojnë perspektivën gjinore për të fuqizuar statusin e grave
“Kjo nënkupton se të gjitha veprimet tona, zhvillimet, siguria, arsimi, shëndetësia – të gjitha këto e integrojnë perspektivën gjinore për të fuqizuar statusin e grave. Pa kuota nuk mund të arrihet qëllimi që dëshirojmë për shkak të gjitha këtyre që i thamë. Jo vetëm për shkak të politikës. Ne jemi një prej vendeve të para që kemi pasur kuota në bordet qeverisëse të kompanive publike”, theksoi ai.
Ndërkaq, ambasadori McGurk pati një porosi për partitë politike që të jenë llogaridhënëse sa i përket politikave gjithëpërfshirëse gjinore.
McGurk: Partitë politike duhet të mbeten llogaridhënëse sa i përket politikave përfshirëse gjinore
“Po, ka sfida, por aty ku jemi është shumë më ndryshe sesa ku kemi qenë në vitet ’80 apo ’90. Është një evolucion dhe zhvillim që po ndodh. Është me rëndësi që të kemi durim strategjik, pasi ka shumë çështje të adaptimit të kulturës dhe shtimit të grave në jetën politike. Është shumë pozitive për t’u parë që 14 komuna kanë nënshkruar deklaratën kundër dhunës ndaj grave në politikë dhe jetën publike. Partitë politike duhet të mbeten llogaridhënëse sa i përket politikave përfshirëse gjinore dhe për aplikimin e kuotave pjesërisht. Ato janë kryesuesit që e udhëheqin këtë proces në kuptim të mundësive të balancuara”, theksoi ai.
Pjesë e diskutimit ishte edhe drejtoresha e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës (RrGGK), Igballe Rogova, e cila tha se gratë janë të shumta, të afta dhe të forta në politikë, mirëpo një pjesë e tyre anashkalohen nga liderët partiakë.
Rogova: Liderët e partive po i anashkalojnë gratë
“Sot kemi gra shumë të afta në politikë, shumë të forta dhe të guximshme, por është lideri i partive që u thotë: uluni tash se unë flas. Ato gjithmonë e bëjnë punën dhe pastaj u thuhet: uluni tash se unë flas”, theksoi ajo.
Mes tjerash u tha se në kontekst të zgjedhjeve, barazia gjinore është parakusht për demokraci funksionale, pasi pjesëmarrja e grave e rrit besueshmërinë në procesin zgjedhor dhe forcon legjitimitetin e institucioneve që dalin nga zgjedhjet.
Burimi: botasot.info


