Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Genc Pollo, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda opozitës, duke e cilësuar lëvizjen e Ervin Salianjit si të pakoordinuar dhe të bërë në një moment të papërshtatshëm. I ftuar në një emision televiziv ai tha se, hetimet e fundit të SPAK-ut përbëjnë një moment kyç për të zgjuar ndërgjegjen shoqërore, pasi tregojnë se situata në vend po përkeqësohet.
“Nuk është ende krejt e qartë pse duhet pritur raporti i OSBE-së për zgjedhjet që të fillonte ajo që ne e quajmë analizë, apo që mund të ishte dhe një dialog pa e zyrtarizuar si analizë. Në këtë sens e shikoj që jo vetëm Salianji që shkon në mënyrë të pakoordinuar, por kushdo që ngre një shqetësim, ngre një problem, bën edhe një kritikë. Fatkeqësisht qëlloi në një moment shumë të papërshtatshëm, sepse veprimet e fundit nga SPAK, janë një moment për të ndezur ndërgjegjen e shoqërisë, që këtu gjërat jo vetëm nuk po shkojnë mirë, por po shkojnë aq keq, saqë nuk mund të rrimë duarkryq në shtëpitë tona”, tha Pollo.
Pollo theksoi se, megjithëse koha nuk ishte e zgjedhur mirë, debati i hapur dhe dinamizmi brenda Partisë Demokratike janë të domosdoshëm.
“Momenti ishte jo i zgjedhur mirë, por fakti që duhet një dinamizëm dhe një debat më i hapur edhe brenda partisë. Por nuk u diskutua për zgjedhjet, për analizën e partisë. Është një proces që pritet të nisë nga janari dhe në vijim, por nuk pati moment për diskutim. U la për mbledhjen tjetër”.
Ai mbrojti protestat e PD-së, duke pranuar se ato nuk e rrëzuan qeverinë, por kanë treguar brenda dhe jashtë vendit se ekziston një forcë politike që kundërshton korrupsionin, abuzimin me pushtetin dhe kriminalitetin në qeverisje.
“Ka bërë mitingje PD. Por imagjinoni sikur PD-ja të rrinte rehat, të merrte rrogat e deputetëve dhe të mos t’i bënte ato mitingje. A do ishte Shqipëri më e mirë kjo? Ne biem dakord që ato mitingje nuk e rrëzuan Ramën. Ato mitingje ndoshta impresionuan, ndoshta jo. Ato mitingje të paktën i treguan shqiptarëve dhe opinionit jashtë që e ndjek Shqipërinë që, mirë apo keq këtu ka një forcë që nuk pranon abuzimin me shtetin, nuk pranon korrupsionin në nivel të lartë, nuk pranon kriminalitetin që penetron qeverinë edhe organet shtetërore”.
Duke folur për pritshmëritë për vitin e ardhshëm, Pollo u shpreh se shpreson që situata të arrijë një pikë kthese që të sjellë një ndryshim real politik dhe rotacion pushteti. Ai theksoi se ndryshimi është i domosdoshëm jo thjesht për arsye partiake, por për të shmangur pasojat e rënda të një pushteti të gjatë dhe të kapur.
Burimi: botasot.info


