ldk ne udhekryq politik vjen paralajmerimi largimi i abdixhikut nuk e shpeton partine 696a78beea825

LDK në udhëkryq politik, vjen paralajmërimi: Largimi i Abdixhikut nuk e shpëton partinë

January 16, 2026
min lexim

Pas rezultatit tejet të pafavorshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, brenda këtij subjekti politik janë thelluar paqartësitë dhe dilemat për drejtimin e ardhshëm. 

Humbja elektorale ka nxjerrë në pah jo vetëm rënien e mbështetjes qytetare, por edhe mungesën e një pozicionimi të qartë politik të strukturave drejtuese të partisë.

Analistët vlerësojnë se tkurrja e votës për LDK-në ishte befasuese edhe për vetë drejtuesit e saj, ndonëse sinjalet paralajmëruese kishin filluar të shfaqeshin më herët, veçanërisht në zgjedhjet lokale me humbjen e komunave si Fushë Kosova dhe Obiliqi. Megjithatë, fitorja në Prishtinë kishte krijuar pritshmëri të rreme se partia mund të arrinte një rezultat më të favorshëm edhe në nivel nacional.

Së paku kështu thotë analisti politik Afrim Kasolli, i cili vlerëson se pas humbjes së fundit, LDK ndodhet në një gjendje konfuzioni të thellë, ku as vetë strukturat drejtuese nuk e kanë të qartë pozicionin politik të partisë.

“Pas rezultatit tejet të pafavorshëm që e mori Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, duket se as vetë strukturat drejtuese të këtij subjekti politik nuk e kanë të qartë se në çfarë pozicioni janë”, shprehet Kasolli.

Image

Afrim Kasolli

Sipas tij, ndonëse humbja ishte e papritur për shumëkënd, shenjat e një epilogu të tillë ishin bërë të dukshme më herët, por u anashkaluan nga optimizmi i krijuar pas fitores në kryeqytet.

“Fitorja në Prishtinë ndikoi që drejtuesit e LDK-së të shpresonin në një rezultat tjetër nacional nga ai që doli nga kutitë e votimit”, thekson ai.

Kasolli vëren se pas kësaj humbjeje traumatike, brenda partisë janë kristalizuar dy qëndrime kryesore: njëra palë që kërkon sakrifikimin e “kokës politike” të kryetarit Lumir Abdixhiku dhe pala tjetër që nuk është e bindur se largimi i tij është rruga e duhur për ringritje politike.

“Ndonëse vetë kryetari Abdixhiku, në një masë, e ka pranuar përgjegjësinë politike, ai po kërkon që për fatin e tij të vendosë kolektivisht partia”, thekson analisti.

Megjithatë, Kasolli vlerëson se edhe një ndryshim i mundshëm i lidershipit nuk do të ishte zgjidhje e mjaftueshme për krizën aktuale të LDK-së.

“Askush nuk po e konteston pse nuk i ka fituar zgjedhjet, por pse ka dështuar ta ketë një rritje të përqindjes, sado modeste. Ndryshimi i lidershipit, në situata të tilla, mund të shihet si normal, por për bindjen time vetëm ky akt nuk do të mjaftonte”, shprehet ai.

Sipas Kasollit, LDK duhet të kuptojë se kundërshtari i saj kryesor sot është Lëvizja Vetëvendosje dhe se përballja me të kërkon një qasje krejtësisht tjetër politike.

“Kjo parti nuk do të ketë shanse të rikthehet si forca e parë politike pa ia ‘grabitur’ një pjesë të elektoratit Vetëvendosjes, i cili kohët e fundit ka gravituar nën ombrellën e partisë fituese të zgjedhjeve”, vlerëson ai.

Në fund, Kasolli thekson se në politikë, pushteti nuk humbet vetvetiu, por rrëzohet vetëm nga një alternativë bindëse, rol që LDK, sipas tij, ka dështuar ta luajë deri më tani.

“Në politikë, subjektet që janë në pushtet nuk i humbin zgjedhjet vetvetiu, por vetëm nëse ka dikë tjetër që i rrëzon duke e bindur elektoratin se është alternativë reale ndaj pushtetit. Dhe mjerisht, LDK ka dështuar pikërisht të imponohet si e tillë”, përfundon Kasolli.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

cilat vende po e perdorin inteligjencen artificiale me shume 696a788e0b309
Lajmi i mëparshëm

Cilat vende po e përdorin inteligjencën artificiale më shumë?

machado ia kaloi cmimin trump reagon komitetit i nobelit cmimet nuk transferohen 696a78d36445c
Lajmi i radhës

Machado ia kaloi çmimin Trump, reagon Komitetit i Nobelit: Çmimet nuk transferohen

Të fundit nga

Rusia: Groenlanda i përket Danimarkës

Rusia ka shprehur mbështetje për Danimarkën lidhur me statusin e Grenlandës, duke deklaruar se e konsideron ishullin si territor danez. Kremlini theksoi gjithashtu se situata e sigurisë rreth Grenlandës është “e jashtëzakonshme”
ShkoLartë