Në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë thënë se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj ministres në detyrë të Industrisë Rozeta Hajdari, për rastin e rezervave shtetërore “tregon qeverisjen korruptive dhe kriminale të qeverisë Kurti” dhe se i akuzuar për këtë rast duhej të ishte edhe vetë Albin Kurti.
Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, tha se rasti i rezervave shtetërore tregon, sipas tij, qeverisjen korruptive dhe se dëmi i shkaktuar ndaj buxhetit është tre milionë euro, raporton KosovaPress.
Zogaj: Rasti i rezervave shtetërore prek sigurinë kombëtare
“Ky nuk është një rast thjesht administrativ. Ky është një rast që prek sigurinë kombëtare, financat publike dhe integritetin institucional të shtetit tonë… E para është dëmi financiar që i është shkaktuar buxhetit të Republikës sonë. Prokuroria Speciale e Kosovës ka theksuar përmes aktakuzës se në këtë rast është shkaktuar dëm në vlerë tre milionë euro ndaj buxhetit të shtetit të Kosovës. Ky dëm përfshin rritjen artificiale të çmimit të grurit rreth 200 euro mbi çmimin e tregut në atë kohë, sasi të pa dorëzuara të mallrave të blera që janë kryesisht vaj dhe sheqer, si dhe kontrata të paligjshme të transportit të këtyre mallrave që tejkalojnë kontratën origjinale dhe pagesa 100 për qind në avanc, që është krejtësisht në kundërshtim me ligjet e vendit dhe praktikat e deritanishme”, tha ai.
Zogaj e ka quajtur skandal edhe përfshirjen e personave që nuk kanë ushtruar pozitë zyrtare dhe komunikimin për interesa shtetërore në rrjetin social “WhatsApp”.
Zogaj: Fshehtësia shtetërore u nda nga një person privat në WhatsApp
“Përfshirja e personave privatë në vendimmarrjen shtetërore është një skandal i paparë institucional. Prokuroria thekson se një person privat me emër Ridvan Muharremi, pa asnjë rol dhe detyrë zyrtare në shtetin tonë, ka negociuar këto kontrata, ka zgjedhur operatorët ekonomikë dhe ka marrë dokumente të brendshme institucionale që konsiderohen edhe sekrete shtetërore. Ato i ka ndarë përmes grupeve në WhatsApp, të krijuara nga vetë ministrja në këtë rast”, tha ai.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, tha se në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për rezervat shtetërore duhet të jetë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Rukiqi: Kurti duhej të ishte i akuzuar në rastin e rezervave shtetërore
“Kjo tregon natyrën e keqqeverisjes dhe korrupsionit të qeverisë në largim Kurti. Nuk është çështja e vlerës, sa është çështja e natyrës kriminale të marrjes së vendimeve në këtë qeveri… Kryeministri ka ikur poshtë e lart dhe nuk është paraqitur si dëshmitar. Në aktakuzë figuron si dëshmitar, por do të duhej të ishte si i akuzuar sipas vlerësimit tonë, pasi ka përgjegjësi penale dhe politike në këtë rast”, tha Rukiqi.
Prokuroria Speciale ka ngritur gjatë kësaj jave aktakuzë ndaj ministres Rozeta Hajdari, dy zyrtarëve të kësaj ministrie, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, si dhe ndaj afaristit Ridvan Muharremi për rastin e rezervave shtetërore.
Burimi: botasot.info


