Oda e Arkitektëve të Kosovës po përballet me një sërë sfidash që lidhen me organizimin profesional, legjislacionin sekondar dhe përfshirjen e anëtarëve në proceset vendimmarrëse, u tha në ngjarjen tradicionale “Dita e Arkitektit” e organizuar nga Oda e Arkitektëve të Kosovës. Aty morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe të odave të arkitektëve nga rajoni.
Kryetari i Odës së Arkitektëve të Kosovës, Uran Kyçyku tha se themelimi i kësaj ode së fundmi, “shënon një moment historik për komunitetin e arkitektëve në vend pas më shumë se 20 vitesh mungesë të një organizate të tillë profesionale”.
Kyçyku: Oda e Arkitektëve të Kosovës po përballet me një sërë sfidash
“Sfidat janë të mëdha, është një organizatë e re për herë të parë e themeluar, përvoja mungon në aspektin profesional por edhe në aspektin e formësimit të legjislacionit sekondar të angazhimit të nevojave të anëtarëve. Kjo odë ka munguar që 20 vite sepse arkitektët nuk kanë mundur t’i shtojnë kërkesat e tyre. Mungojnë shumë dokumente për komunitetin tonë dhe çmime për shërbime tona. Jemi të fundit që nuk kemi mundur të realizojmë këtë koncept kurse benefitet për anëtarësim pres të vijnë, dhe pres prej te gjithë anëtarëve që odën ta shohin shtëpinë e tyre”, tha Kyçyku.
Nga ana tjetër, udhëheqësi i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim në Ministrinë e Mjedisit, Servet Spahiu, tha se themelimi i odës është rezultat i një procesi të gjatë dhe të domosdoshëm për rregullimin e profesionit të arkitektit në Kosovë.
Spahiu: Themelimi i odës ka ardhur si një rezultat i gjatë i procesit të rrjedhshëm
“Sa i përket Ministrisë së Mjedisit, themelimi i odës ka ardhur si një rezultat i gjatë i procesit të rrjedhshëm…Kemi filluar në vitin 2018 ta bëjmë ligjin, në 2022 është aprovuar. Vitin e kaluar ka filluar procesi i lëshimit të licencave të para për arkitektë, ka qenë intensive për shkak se na është dashur të kompletojmë kornizën ligjore dhe dokumentacionet e nevojshme me të gjitha aktet ligjore. Nuk ka qenë e lehtë të bëjmë identifikimin e kandidatëve duke marrë parasysh se gati 30 vjet gjeneratanuk kanë pasur licencim, por ka përfunduar ajo, tash kemi 1600 anëtarë. Ne e dimë sfidat që keni ju, dilemat në secilin akt, veprim, shpesh ju duhet të komunikoni edhe me oda të tjera. Ne tre vitet e para kemi marrë obligim ligjor të përkrahim financiarisht odën me të gjitha mjetet edhe pse nuk është aq e nevojshme sa duhet”, tha Spahiu.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryetari i Odës së Arkitektëve të Malit të Zi, Novica Mitrovic, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal ndërmjet arkitektëve.
Mitrovic: Arkitektura nuk ka të bëjë vetëm me ndërtesat, ajo ka të bëjë me vizionin
“Ngjarje si kjo janë më të vërtetë shumë të rëndësishme. Ato na bashkojnë për të ndarë ide, për të shkëmbyer përvoja dhe për të frymëzuar njëri-tjetrin. Përmes takimeve të tilla, ne formësojmë skenën arkitektonike në vendet tona, ndikojmë në mënyrën se si zhvillohen qytetet tona, si jetojnë komunitetet tona dhe, në fund, si do të duket e ardhmja jonë. Arkitektura nuk ka të bëjë vetëm me ndërtesat, ajo ka të bëjë me vizionin, me kulturën dhe me lidhjen tonë me njerëzit dhe hapësirën ku jetojmë”, tha Mitrovic.
Burimi: botasot.info


