Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se Komisioni Ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të RTK-së ka përmbyllur procesin e intervistimit të kandidatëve dhe ka propozuar emrat të cilët do të votohen në këtë institucion.
Sipas njoftimit nga ky institucion, janë propozuar 12 kandidatë për 6 pozita.
“Për gjashtë pozita për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, komisioni ka propozuar për votim se seancë plenare dymbëdhjetë kandidatë: Valmirë Thaqi, Flokart Aliu, Gëzim Brahaj, Fatos Mustafa, Arbërore Riza, Xheraldina Cërnobregu, Njomza Beqiri Novosella, Anita Toqi, Lulzim Beqiri, Fatmir Podrimaj, Ilirjan Himaj dhe Avni Zuka”, thuhet në njoftim.
Nga radhët e komunitetit serb, komisioni ka propozuar për votim dy kandidatë: Ivana Milić dhe Vidosav Kostović. Ndërsa për një pozitë për anëtar të Bordit nga radhët e komuniteteve të tjera jo shumicë, janë propozuar kandidatët Anesa Čolaković dhe Aldin Šabani.
Komisioni ka pranuar gjithsej 75 aplikime nga kandidatët dhe ka intervistuar ata për dy ditë radhazi.
Në anën tjetër Asocacioni i Gazetarëve të Kosovës bashkë me organizata tjera të shoqërisë civile kanë kritikuar procesin e intervistimit dhe përzgjedhjes së këtyre emrave. Ata e kanë quajtur procesin jo-transparent dhe kanë thënë se nuk plotëson standardet minimale profesionale.
AGK dhe OJQ-të e tjera kanë akuzuar LVV-në se po provojnë të përmbyllin procesin brenda një afati të shkurtër dhe kanë shmangur standardet e vendosura në vitin 2021 gjatë procesit të rekrutimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së.
Për këtë, pikërisht këto organizata mbajtën konferencë për media dy ditë më parë duke shprehur kundërshtimin e tyre.
Burimi: botasot.info


