kuvendi nis sesionin e dyte te legjislatures xi begaj mesazh politikes 696e1774e8915

Kuvendi nis sesionin e dytë të legjislaturës XI/ Begaj mesazh politikës

January 19, 2026
min lexim

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i dërgoi sot një mesazh deputetëve të Shqipërisë me rastin e çeljes së sesionit të ri parlamentar të Legjislaturës XI, ku theksoi se Kuvendi nis një gjashtëmujor vendimtar, të mbushur me nisma reformuese dhe përgjegjësi të larta shtetformuese.

Kreu i Shtetit nënvizoi se çdo iniciativë ligjore duhet t’i shërbejë forcimit të shtetit të së drejtës, mirëqenies së qytetarëve dhe objektivit strategjik të Shqipërisë: anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Duke iu referuar përafrimit të legjislacionit dhe agjendës së integrimit, Presidenti i Republikës thekson në mesazhin drejtuar deputetëve se procesi kërkon përkushtim, reforma të thella dhe bashkëpunim të sinqertë ndërinstitucional.

“Përafrimi i legjislacionit dhe plotësimi me prioritet i agjendës së Bashkimit Evropian nuk mund të ketë konkurrencë. Ai kërkon përgjegjësi dhe përkushtim të vërtetë, kërkon reforma të thella dhe punë intensive. Procesi parlamentar në këtë drejtim nuk e garanton dot suksesin nëse vëmendja shpërqendrohet, nëse ligjërimi parlamentar humbet rrugën, nëse bashkëpunimi ngec, nëse debati humbet fokusin nga interesi ynë kombëtar dhe nëse rezultatet vonojnë. Në rrugën drejt familjes evropiane ne nuk kemi kohë për të humbur dhe as energji për të shpërdoruar”,- shprehet Presidenti Begaj.

Ndërsa thekson reformën në drejtësi dhe nisjen e saj si emergjencë kombëtare, Presidenti i Republikës shprehet për rëndësinë e mbështetjes së politikës ndaj luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në mënyrë që qytetarët të marrin drejtësi sipas standardeve evropiane:

“Reforma në drejtësi nisi si nevojë dhe emergjencë kombëtare. Ajo krijoi institucione të reja dhe mori mbështetjen masive qytetare për një drejtësi të pavarur, profesionale, funksionale dhe që garanton zbatimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës. Ky sesion përballet me nevojën që politika të konfirmojë mbështetjen për drejtësinë. Politika duhet të ndihet krenare kur drejtësia vepron kundër korrupsionit, krimit të organizuar, kur drejtësia tregon pavarësi, integritet, profesionalizëm dhe kur qytetarët marrin drejtësi sipas standardeve evropiane”, tha presidenti i vendit.

Në këtë sesion parlamentar, Kreu i Shtetit e cilësoi reformën zgjedhore si një prioritet, duke kërkuar adresimin e plotë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it dhe shmangien e ndryshimeve të vonuara që rrezikojnë standardin e zgjedhjeve.

Reforma zgjedhore duhet të arrijë pikën kulmore, – u shpreh Kreu i Shtetit, – duke theksuar se angazhimi në funksion të saj kërkon përkushtim maksimal: “Rekomandimet e misionit të OSBE-ODIHR-it kanë identifikuar çështje thelbësore për standardin e zgjedhjeve në Shqipëri, të cilat nuk mund të ngelen pa u adresuar. Kuadri ligjor zgjedhor duhet t’i nënshtrohet një reformimi tërësor, në një proces konsultimi gjithëpërfshirës dhe në përputhje me praktikat e mira dhe standardet ndërkombëtare brenda këtij sesioni parlamentar. Ndryshimet e vonuara të legjislacionit zgjedhor përbëjnë rrezik për standardin e zgjedhjeve”, u shpreh Begaj.

Po ashtu, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e reformës administrativo-territoriale, e cila duhet të udhëhiqet nga interesi i qytetarëve, zhvillimet demografike dhe nevoja për shërbime publike cilësore e të barabarta.

“Reforma administrativo-territoriale përbën, gjithashtu, një gur kilometrik, i cili suksesin e ka të lidhur ngushtë me aftësinë e palëve për dialog konstruktiv dhe kompromis. Kjo reformë duhet të udhëhiqet nga interesi më i lartë i qytetarëve, lëvizjet demografike, nga nevoja për shërbime dhe infrastrukturë publike dinjitoze dhe të barabartë në çdo njësi për ta bërë vetëqeverisjen vendore të vërtetë dhe të qëndrueshme”, pohoi kreu i shtetit. Presidenti Begaj kërkoi një Kuvend aktiv në kontrollin parlamentar, ku qeveria jep llogari dhe institucionet reagojnë, duke e bërë parlamentin të jetë më pranë qytetarëve dhe më funksional.

“Qytetarët kanë nevojë ta shohin Kuvendin në veprim dhe qeverinë të japë llogari, por, mbi të gjitha, ata kanë nevojë që kjo procedurë parlamentare të jetë serioze dhe e përgjegjshme”, – vlerëson Presidenti i Republikës, duke nënvizuar rëndësinë e rezultatit në këtë proces. Presidenti Begaj shprehet se “Kontrolli parlamentar ka kuptim kur ai prodhon rezultat, kur institucionet vihen në lëvizje, kur merren masa, ndryshohen procedura, përmirësohen ligje”, tha ai.

Në përmbyllje të mesazhit, Kreu i Shtetit u bëri thirrje deputetëve që mandatin ta trajtojnë si një kontratë besimi me qytetarët dhe ta kthejnë atë në vendime të drejta dhe veprime konkrete në shërbim të Shqipërisë dhe të ardhmes së saj evropiane.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

policia financiare me detaje rreth 350 mije eurove qe u gjeten ne murin e shtepise se gjykatesit gjoko ristov 696e0aeee03ae
Lajmi i mëparshëm

Policia Financiare me detaje rreth 350 mijë eurove që u gjetën në murin e shtëpisë së gjykatësit Gjoko Ristov

ankohet driton kuka sporti po vuan nga vonesat institucionale 696e17dd69843
Lajmi i radhës

​Ankohet Driton Kuka: Sporti po vuan nga vonesat institucionale

Të fundit nga

Dorëhiqet zv/ministri i Arsimit Lulzim Aliu

1 Shkup, 13 janar – Lulzim Aliu ka dhënë dorëheqje nga detyra e Zëvendësit të Ministrit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Dorëheqja i është dorëzuar
ShkoLartë