8
Shkup, 29 dhjetor – Kuvendi sot në kuadër të seancës së 79-të plenare me 73 vota “pro” dhe një “të përmbajtur”, ka miratuar Ligjin për Këshillin gjyqësor.
Qëllimi kryesor i ndryshimeve ligjore është eliminimi i dobësive të identifikuara deri më tani në kornizën ligjore ekzistuese dhe sigurimi i një Këshilli gjyqësor më funksional, transparent dhe llogaridhënës.
Risitë kryesore të parashikuara në ligj janë publikimi në procedurën për shkarkimin e kryetarit të Këshillit gjyqësor, precizimi i kritereve për zgjedhjen e një “juristi të shquar” dhe vendosja e debatit publik gjatë zgjedhjes së kandidatëve për anëtarë jo-gjyqësorë me qëllim të transparencës dhe llogaridhënies më të madhe.
Njëherësh, parashikohet edhe forcimi i kritereve për zgjedhjen, përgjegjësinë dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit nga radhët e gjyqtarëve, duke precizuar qartë procedurën mbi përgjegjësinë disiplinore të gjykatësve, por edhe të anëtarëve të Këshillit gjyqësor.
Risi e rëndësishme është vendosja e një detyrimi për Këshillin gjyqësor për të precizuar, individualizuar dhe shpjeguar vendimet mbi përzgjedhjen dhe përcaktimin e përgjegjësisë së gjykatësve, duke përcaktuar afatet për ndërmarrjen e veprimeve për përgjegjësinë disiplinore të gjykatësve, si dhe duke precizuar bazat dhe procedurën për ankimim kundër vendimit të Këshillit gjyqësor dhe zgjidhje të shumta të tjera për përmirësimin e kornizës së përgjithshme ligjore konform rekomandimeve të Bashkimit Evropian.


