Kuvendi zhvillon sot seancën plenare të radhës ku parashikohen dy interpelanca, projektligjet për buxhetin 2026 dhe paketën fiskale, si edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit.
Fillimisht pritet të zhvillohet interpelanca me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa lidhur me projektin për restaurimin dhe rikualifikimin urban të zonës TID në Durrës, shkruan ATSH.
Më pas rendi i ditës parashikon një tjetër interpelancë, këtë radhë të kërkuar nga deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj me Kryeministrin Edi Rama, në lidhje me prishjen e ndërtimeve pa vendime të formës së prerë dhe pa respektuar procedurat ligjore.
Më pas Kuvendi pritet të shqyrtojë disa projektligje të rëndësishme të lidhura me paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2026.
Në rendin e ditës përfshihen: projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”;
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë””;
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat””;
Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”;
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar”;
Projektligji “Për marrëveshjen e paqes fiskale”;
Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”;
Projektligji “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”;
Projektligji “Për buxhetin e vitit 2026”;
Projektligji “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”;
Projektligji “Për gjuetinë”;
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 155/2020, “Për ndryshimet klimatike””;
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 80/2021, “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, të ndryshuar”.
Kuvendi gjithashtu do të shqyrtojë nesër edhe projektvendimin “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”, ku në garë janë 6 kandidatë: Adriana Kalaja, Aranita Brahaj, Besim Ndregjoni, Endrit Shabani, Skënder Haluci dhe Tartar Bazaj.
Po ashtu, Kuvendi pritet të miratojë edhe projektvendimin “Për një ndryshim në vendimin nr. 104/2025 “Për ngritjen e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik në përbërje të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat””.
Në fund të rendit të ditës Kuvendi do të zhvillojë një mocion me debat për gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e raportit final të OSBE-ODIHR-it, për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Burimi: botasot.info


