kuvendi i karrikave koalicionet me pdk ne dhe klanet tahiraj numeron gabimet e ldk se pas rezultatit zhgenjyes 69550c600f317

“Kuvendi i karrikave”, koalicionet me PDK-në dhe klanet –Tahiraj numëron gabimet e LDK-së pas rezultatit zhgënjyes

December 31, 2025
min lexim

Pas rezultatit zhgënjyes të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit, janë shtuar debatet dhe kritikat brenda e jashtë partisë për shkaqet që çuan në këtë dështim elektoral. Analistë, aktivistë dhe simpatizantë të LDK-së po ngrenë pikëpyetje serioze mbi funksionimin e brendshëm të subjektit, rolin e klaneve partiake dhe mungesën e një rifreskimi të thellë organizativ.

Në këtë kontekst, shtrohet dilema nëse LDK-ja ka nevojë për një çlirim nga ndikimet e brendapartiake dhe një reformim që të nisë nga degët e saj e deri në kryesi, duke ndarë qartë pushtetin lokal nga ai partiak, në mënyrë që sukseset në nivel komunal të reflektohen edhe në nivel qendror.

Saim Tahiraj, ish-bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj dhe veprimtar i LDK-së në Zvicër në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur në lidhje me situatën aktuale brenda kësaj partie.

Image

Saim Tahiraj

Sipas tij, historiku i LDK-së pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova është i dhimbshëm dhe tragjik, sepse pikërisht aty filloi rënia e saj.

“Rrugëtimi pas-rugovian i Lidhjes Demokratike të Kosovës është shoqëruar me gabime të rënda strategjike, organizative dhe ideologjike, të cilat e kanë dëmtuar thellë identitetin dhe besimin e elektoratit të saj tradicional.

Gjithçka nisi me të ashtuquajturin “Kuvendi i karrikave”, ku LDK-ja u nda në dysh — një akt fatal që shënoi fillimin e shkatërrimit të brendshëm dhe humbjes së autoritetit moral. Ajo ishte fatkeqësia politike nga e cila LDK-ja nuk arriti kurrë të rimëkëmbet plotësisht”, kujton Tahiraj.

Pas kësaj, ai thekson se pasuan koalicionet me PDK-në, të cilat rezultuan po aq shkatërruese.

“Elektorati i LDK-së jo vetëm që nuk i dëshironte këto koalicione, por i urrente skajshmërisht, për arsye të njohura tashmë: vrasjet politike, përplasjet ideologjike dhe antagonizmi i thellë moral mes dy subjekteve.

Gabimin e parë në këtë drejtim e bëri kryetari Fatmir Sejdiu, i cili mund të arsyetohet pjesërisht për shkak të rrethanave të shpalljes së pavarësisë. Mirëpo, në vend që të nxirreshin mësime nga ky gabim, udhëheqja e LDK-së vazhdoi në të njëjtën rrugë pa reflektim.

Isa Mustafa shkoi edhe më tej, duke e përsëritur të njëjtin gabim strategjik me PDK-në dhe duke bërë edhe gabime të tjera të rënda: anulimin e kuvendeve legjitime të degëve në mërgatë — një veprim fatal që e tundi rëndë strukturën dhe besimin. Si pasojë, LDK-ja u soll në një gjendje alarmante, duke rënë në 12%”. Pas zgjedhjeve të reja brenda LDK-së, u krijua shpresa se do të ndodhte rehabilitimi dhe një ngritje graduale. Por ndodhi e kundërta: rënia vazhdoi dhe rezultati u ngjit vetëm në 13%, pa asnjë rikthim real”, shprehet Tahiraj për “Bota sot”.

Një tjetër gabim i rëndë, sipas tij ishte largimi dhe anashkalimi i figurave autoritative, me kontribut dhe histori në LDK, dhe zëvendësimi i tyre siç shprehet ai “me satelitë të klaneve, njerëz pa asnjë ditë aktiviteti dhe sakrifice për LDK-në”.

“Madje, disa prej tyre kishin qenë kundërshtarë të hapur dhe propagandues të zhurmshëm kundër LDK-së, por u sollën në majën e piramidës së saj politike. Ky ishte një akt vetëshkatërrues.

Po aq i rrezikshëm ishte edhe koketimi me Islamin Politik, një devijim i rëndë ideologjik, kur dihet qartë orientimi perëndimor, liberal dhe pro-evropian i LDK-së, orientim që Presidenti Rugova e kishte betonuar përgjithmonë. Të gjitha këto gabime nuk duken të rastësishme. Përkundrazi, krijohet bindja se ato ishin pjesë e një plani të mirëkoordinuar nga qarqe të caktuara, të cilat kishin për mision shkatërrimin definitiv të LDK-së si forcë politike dhe morale”, thekson ai.

Për Saim Tahirajn, mbijetesa e LDK-së deri më sot i atribuohet ekskluzivisht elektoratit të saj idealist, i cili me një qëndresë stoike e mbrojti ekzistencën e saj në skenën politike të Kosovës, shpeshherë kundër vetë udhëheqjes së saj.

Për rrjedhojë, Tahiraj shprehet se sot, pas kësaj humbjeje drastike, LDK-ja ndodhet në një nga momentet më kritike të historisë së saj, ku secili duhet t’i marr përgjegjësitë që i takojnë.

“Kërkohet urtësi vepruese, analizë e thellë dhe debat i sinqertë për të gjitha gabimet e bëra që nga vdekja e Presidentit Rugova. Nga këto analiza duhet të dalin vendime të guximshme, pa ngritje tensionesh dhe pa lejuar një plasaritje të re brenda partisë.

Secili duhet të marrë përgjegjësinë që i takon, në bazë të funksionit që ka pasur, dhe të reflektojë me dorëheqje — duke filluar nga kryetari e tutje. I njëjti proces duhet të vazhdojë në të gjitha degët dhe nëndegët, duke hapur rrugë për personalitete me autoritet, integritet dhe kredibilitet, në të gjitha nivelet e LDK-së”, përfundon Tahiraj.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tash ka arritur të fitojë vetëm mbi 13 % të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

kujdes sot me fishekzjarret demet nga mjetet piroteknike zjarrfikesit tregojne se si duhet te mbroheni 69550c04da1f8
Lajmi i mëparshëm

Kujdes sot me fishekzjarrët/ Dëmet nga mjetet piroteknike, zjarrfikësit tregojnë se si duhet të mbroheni

shperthimet tronditin rybinskun e rusise ne flake rezervuaret e karburantit 69550c752cae3
Lajmi i radhës

Shpërthimet tronditin Rybinskun e Rusisë, në flakë rezervuarët e karburantit

Të fundit nga

ShkoLartë