Brenda këtij muaji pritet të hyjë në fuqi skema e tarifimit për Tunelin e Llogarasë, duke i dhënë fund kalimit falas që ka qenë në fuqi që prej hapjes së tij dy vite më parë.
Sipas përcaktimeve, drejtuesit e autoveturave do të paguajnë 250 lekë për një drejtim dhe 500 lekë për vajtje-ardhje në segmentin prej 5.9 kilometrash, një kosto që përllogaritet rreth 1 euro për kilometër.
Aktualisht, në terren po zhvillohen testimet përfundimtare të sistemit të pagesave. Kamerat e sigurisë, pajisjet elektronike të kontrollit dhe infrastruktura mbështetëse po verifikohen për të garantuar funksionimin e plotë dhe të saktë të procesit të tarifimit, i cili pritet të nisë së shpejti.
Tarifat do të jenë të ndryshme në varësi të kategorisë së mjeteve. Motoçikletat do të paguajnë 100 lekë, ndërsa për mjetet e tonazhit të rëndë tarifa shkon deri në 5000 lekë. Për mjetet me karroceri është vendosur një tarifë prej 500 lekësh, ndërsa për furgonët dhe autobusët tarifa arrin në 1000 lekë.
Nga pagesa do të përjashtohen mjetet e emergjencës, policisë, ushtrisë dhe zjarrfikëses, si edhe personat me aftësi të kufizuara.
Burimi: botasot.info


