I dërguari amerikan dhe dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, u kthye të hënën në Izrael, ndërsa ndërmjetësit po përballen me sfida të reja në përpjekjet për të çuar përpara negociatat për fazën tjetër – edhe më komplekse – të marrëveshjes së brishtë të armëpushimit në Gaza.
Pikat kyçe mbeten ende të pazgjidhura: çarmatimi i Hamasit, rindërtimi dhe qeverisja e ardhshme e Gazës, si edhe vendosja e një force ndërkombëtare sigurie në territor, shkruan BBC.
Nuk ka asnjë afat për këto bisedime, të cilat kërkojnë lëshime të mëdha si nga Izraeli, ashtu edhe nga Hamasi, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mundësinë e arritjes së progresit.
Një pengesë tjetër ka dalë në dritë së fundmi: dhjetëra luftëtarë të Hamasit që besohet se ndodhen në tunelet nën qytetin jugor të Rafahut, përtej “Vijës së Verdhë”, zonë që ndodhet nën kontrollin izraelit.
Javën e kaluar, i dërguari special amerikan Steve Witkoff tha se mund të ofrohej amnisti për luftëtarët që dorëzojnë armët – një “model” që SHBA shpreson ta aplikojë edhe në pjesën tjetër të Gazës. Ai përmendi shifrën 200 luftëtarë të bllokuar, por numri nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Sipas mediave, çështja u diskutua gjatë takimit që Kushner zhvilloi të hënën në Jeruzalem me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Hamasi ka deklaruar më herët se luftëtarët nuk do të dorëzohen dhe ka kërkuar garantimin e kalimit të sigurt – kërkesë e refuzuar deri tani nga Izraeli.
Një zëdhënëse e qeverisë izraelite tha se Netanyahu dhe Kushner diskutuan “fazën e parë, ku ende ndodhemi, për kthimin e pengjeve të mbetura, si edhe perspektivat e fazës së dytë, e cila përfshin çarmatosjen e Hamasit, demilitarizimin e Gazës dhe garantimin që Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në të ardhmen e Gazës”.
Top Channel
Burimi: top channel


