Michael Pretti, babai i infermierit 37-vjeçar Alex Pretti, i vrarë në Minneapolis gjatë një operacioni të Patrullës Kufitare amerikane, ka kërkuar publikisht që e vërteta për vdekjen e të birit të bëhet publike.
Në një intervistë për Corriere della Sera, ai tha se të dy gjyshërit e Alex-it, nga ana e nënës dhe e babait, kishin emigruar në Shtetet e Bashkuara nga Italia veriore.
Alex Pretti u vra gjatë një ndërhyrjeje të forcave federale, në një operacion kundër emigrantëve të paligjshëm në qytetin e Minneapolis. Operacioni u drejtua nga Greg Bovino, komandant i Patrullës Kufitare, gjithashtu pasardhës i emigrantëve italianë.
Michael dhe bashkëshortja e tij, Susan, që jetojnë në Kolorado, mësuan për vrasjen e djalit të tyre jo nga autoritetet, por nga një gazetar i Associated Press. Deri në mbrëmjen e së shtunës, ata nuk kishin marrë asnjë njoftim zyrtar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare për vdekjen e Alex-it.
“Ju lutem, njoftojeni botën”, u shpreh Michael Pretti, duke shtuar se për momentin nuk ndihet në gjendje të flasë më gjatë me mediat, por kërkon që e vërteta për djalin e tij të dalë në dritë. Ai u ka dërguar gazetarëve amerikanë një deklaratë me shkrim ku thekson: “Ju lutem, nxirrni të vërtetën në dritë për djalin tonë. Ai ishte një njeri i mirë.”
Sipas një rindërtimi video të publikuar nga mediat, Alex Pretti po mbante një telefon celular dhe po filmonte agjentët federalë në momentin kur u qëllua për vdekje.
Prindërit e tij reaguan ashpër pas deklaratave të Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe të Greg Bovino-s, të cilët e cilësuan Alex Pretti-n si “terrorist” dhe pretenduan se ai kishte një armë dhe kishte sulmuar agjentët. “Jemi zemërthyer, por edhe shumë të zemëruar,” thuhet në deklaratën e tyre. “Alex ishte një shpirt i mirë. Ai kujdesej për familjen, miqtë dhe për veteranët amerikanë, të cilëve u shërbente si infermier në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit të Veteranëve në Minneapolis.”
Sipas prindërve, videot që kanë dalë deri tani bien ndesh me versionin zyrtar të autoriteteve. “Gënjeshtrat e neveritshme të administratës për djalin tonë janë të dënueshme. Alex nuk kishte armë. Ai mbante telefonin në dorën e djathtë dhe dorën e majtë e kishte ngritur mbi kokë, ndërsa përpiqej të mbronte një grua që agjentët e ICE-së sapo kishin rrëzuar përtokë dhe spërkatur me sprej piperi,” thuhet në deklaratë.
Alex Pretti ishte shtetas amerikan, i lindur në Illinois, pa precedentë penalë. Ai jetonte vetëm pas një divorci dhe humbjes së qenit të tij. Punonte shpesh deri vonë, por fqinjët thanë se kishte shumë miq dhe nuk ishte vetmitar. Ish-bashkëshortja e tij deklaroi se Alex kishte një armë me leje të rregullt, ndërsa një fqinje tha se ai frekuentonte herë pas here poligonin e qitjes, por u shpreh e habitur që ai e kishte marrë armën me vete në protestë.
Prindërit e tij thanë se e kishin paralajmëruar të ishte i kujdesshëm gjatë protestave kundër ICE-së, të cilat ai i ndiqte sepse, sipas tyre, ndihej i tronditur nga ajo që po ndodhte në Minneapolis dhe në të gjithë SHBA-në. “Ai mendonte se ishte e tmerrshme rrëmbimi i fëmijëve dhe i njerëzve nga rrugët,” thanë ata.
Biseda e fundit e prindërve me Alex-in kishte ndodhur dy ditë para vdekjes së tij. Ai u kishte treguar se i kishte dhënë një bakshish prej 100 dollarësh një punëtori hispanik që i kishte riparuar derën e garazhit, për shkak të situatës së tensionuar në qytet.
Top Channel
Burimi: top channel


