kush eshte dhe ku ndodhet khamenei ajatollahu qe nuk e ka lene iranin prej 1989 es 69a2ce4e212f2

Kush është (dhe ku ndodhet) Khamenei, ajatollahu që nuk e ka lënë Iranin prej 1989-ës

February 28, 2026
min lexim

Portret i Khameneit, njeriut më të fuqishëm të Iranit, i rikthyer në shënjestër të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me operacionin “Ulërima e Luanit”

Thuhet se është transferuar në një bunker nëntokësor. Ndoshta në Levizan, në verilindje të Teheranit. “Nuk ndodhet në Teheran”, i tha një zyrtar iranian agjencisë Reuters, “dhe ndodhet në një vend të sigurt”. Me Ali Khamenein, në strehë, mund të jenë edhe anëtarë të familjes. Edhe pse nuk dihet se ku mund të ndodhet djali i tij i preferuar, i dyti, Mojtaba, i caktuar si pasues i mundshëm.

Ka ankth në rrethin e ngushtë të njeriut që prej 37 vitesh drejton dhe shtyp Iranin. Pas “luftës 12-ditore”, vetëm disa muaj më parë, ai gjendet sërish përballë një sulmi të përbashkët të SHBA dhe Izraelit, objektivat e shpallura të të cilëve u bënë të qarta nga Donald Trump në një video në Truth Social: “Regjimi nuk do të ketë kurrë armë atomike; ky operacion është për të mbrojtur popullin amerikan nga kërcënimet e Teheranit, që është përpjekur të rindërtojë programin e tij bërthamor dhe po zhvillonte raketa balistike me rreze të gjatë, të afta të arrijnë Shtetet e Bashkuara. Do të godasim objektiva të regjimit dhe ushtarake, do të shkatërrojmë raketat e tyre, do të rrafshojmë strukturat e prodhimit të armëve, do të asgjësojmë marinën e tyre ushtarake.”

Objektiva që nuk përfshijnë në mënyrë eksplicite eliminimin e tij. Por që lënë të kuptohet se ndër objektivat përfundimtare mund të jetë edhe vrasja e tij, edhe pse për momentin mbetet vetëm një hipotezë.

Khamenei, ajatollahu që mbrohet nga Pasdaranët

Që nga vdekja e Hassan Nasrallah, liderit të Hezbollahut libanez, masat e sigurisë rreth ajatollahut janë forcuar. Mbrojtja e Khameneit i është besuar një aparati të menaxhuar nga Pasdaranët e Gardës Revolucionare (IRCG), përmes një njësie speciale të saj, “Vali Amr Protection Corps”. “Askush nuk i beson më askujt”, thoshte një burim, “është e qartë se Mossadi është infiltruar edhe mes besnikëve të tij”.

Khamenei nuk ka dalë nga Irani që nga viti i largët 1989, viti kur u kurorëzua si udhëheqës i madh. “Ishte një surprizë” kur u bë Udhëheqës Suprem, pas vdekjes së themeluesit të Republikës Islamike, Ruhollah Khomeini, ka treguar për Corriere della Sera Gary Sick, negociatori kryesor i Shtëpisë së Bardhë gjatë krizës së pengjeve të vitit 1979.

“Ishte një funksionar i lartë në Këshillin e Komandës së Revolucionit dhe kishte mbajtur disa poste kyçe, përfshirë atë të zv/ministrit të Mbrojtjes, por nuk ishte kurrë ndër ata që kishin bërë vërtet revolucionin apo një nga liderët kryesorë. Ishte një klerik, por shumë klerikë të rangut të lartë nuk e konsideronin të kualifikuar për presidencën apo për të zëvendësuar Khomeinin”, tha Sick.

Megjithatë, Khamenei ka qenë president për dy mandate, duke nisur nga viti 1981, dhe në vitin 1989 u bë Udhëheqës Suprem pas një ndryshimi të Kushtetutës. “Dhe menjëherë e quajtën ajatollah, edhe pse nuk ishte i tillë.” Ai ishte hojatoleslam, një klerik i një rangu më të ulët: kritikët ndër vite e kanë tallur me nofkën “Shish Kelaseh”, që do të thotë “gjashtë vite shkollë”.

Khamenei, ajatollahu dhe flaka e revolucionit

Khamenei nuk ka karizmën e Khomeinit, por ka arritur ta mbajë pushtetin dhe “flakën” e revolucionit islamik falë aleancës me konservatorët dhe pasdaranët. “Kur u bë lider në vitin 1989, hapi derën për Gardën Revolucionare në ekonomi dhe politikë, sidomos për të kundërshtuar lëvizjen reformiste”, ka treguar Mohsen Sazegara, që jeton në Amerikë që nga viti 2003 dhe që u burgos kur u bë reformist. Që atëherë, Udhëheqësi dhe pasdaranët janë mbështetur te njëri-tjetri. “Dhe në këtë rrugë, Khamenei e ka shndërruar Iranin në llojin e diktaturës që vetëm shahu do të kishte mundur ta ëndërronte”, ka pohuar Sick.

Me origjinë azere, në rini ajatollahu kompozonte poezi, vishte rroba të thjeshta, fliste për dashurinë e tij për letërsinë. Është martuar me Mansoureh Khojasteh Bagherzadeh dhe ka gjashtë fëmijë: katër djem dhe dy vajza. I njohur për një stil jetese të përmbajtur dhe asketik, urren luksin. Ka një gjymtyrë pjesërisht të paralizuar pas një atentati në vitin 1981 dhe në vitin 2014 i mbijetoi kancerit. Thuhet se refuzon dhuratat e çmuara ose i shet duke dhuruar të ardhurat për nevojtarët.

Ideologjikisht, Khamenei paraqitet si ruajtës i vlerave të revolucionit islamik: drejtësi sociale, pavarësi kombëtare dhe qeverisje islame. Por modeli i tij real është qartësisht autoritar dhe represiv, i orientuar drejt garantimit të mbijetesës së regjimit. Ajatollahët burgosin, torturojnë dhe vrasin çdo formë disidence, siç është parë me përpjekjet revolucionare të viteve të fundit. Nga viti 2009, me Lëvizjen e Gjelbër, deri në vitin 2023 me “Grua, Jetë, Liri”, ku janë burgosur mbi 20 mijë persona dhe janë vrarë rreth 500.

Nëse ndër objektivat e Trump dhe Netanyahu do të ishte eliminimi i Udhëheqësit Suprem, bëhet e rëndësishme të imagjinohen skenarët pas Khameneit. Prej vitesh qarkullon emri i djalit të tij të dytë, Mojtaba, si pasues i mundshëm. Vrasja e liderit do të rrezikonte të shpërthenin luftëra të brendshme që do të zgjeronin kaosin në rajon, duke pasur parasysh ndikimin e Iranit në Siri, Liban, Irak dhe Jemen. Nuk mund të përjashtohet një grusht shteti ushtarak, një luftë civile apo një revolucion popullor. Reformistët mund të përpiqen të marrin pushtetin, ose mund të rikthehet një lider i diasporës, si princi Reza Pahlavi, i cili në muajt e fundit ka deklaruar disa herë: “Jam në dispozicion të popullit tim.” / corriere della sera – bota.al

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

daja ben nje ndryshim 69a2cd8370f89
Lajmi i mëparshëm

Daja bën një ndryshim

pas 10 dite kerkimesh gjendet trupi i pajete i 42 vjecarit ne lumin osum 69a2cf1a0acca
Lajmi i radhës

Pas 10 ditë kërkimesh, gjendet trupi i pajetë i 42-vjeçarit në lumin Osum

Të fundit nga

Daja bën një ndryshim

Dinamo do të përballet sot me Vorën në transfertë, ku skuadra e Dajës do të kërkojë të rikthehet te fitoret pasi në fazën e tretë, ende nuk e ka shijuar. Sa i
ShkoLartë