Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari ka bërë thirrje për mbështetje të gjerë në Kuvend për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe agjendës parlamentare të ditës së nesërme.
Sipas Kusarit, Grupi Parlamentar i LVV-së ka dorëzuar një kërkesë me 40 nënshkrime për seancën e parë të ditës së nesërme, ku do të shqyrtohen 9 pika, përfshirë pesë marrëveshje ndërkombëtare.
Ajo paralajmëron se mosmiratimi i tyre mund të shtyjë financime prej 1 miliardë euro, përfshirë 290 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian.
“Afati për miratimin e Planit të Rritjes nga Bashkimi Evropian është dhjetori 2025. Nëse kjo marrëveshje nuk miratohet deri atëherë, rrezikojmë të humbim 10% të vlerës totale prej 880 milionë euro, pra rreth 88 milionë euro”, tha Kusari.
Ajo shtoi se po ashtu janë në lojë edhe marrëveshje nga Banka Botërore, që përfshijnë 90 milionë euro mjete direkte për buxhetin e vendit, si dhe 40 milionë euro për sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.
Kusari bëri thirrje për bashkëpunim ndërpartiak.
“Marrëveshjet ndërkombëtare nuk i takojnë asnjë partie apo qeverie, ato janë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Për ta arritur këtë sukses, na duhet mirëkuptimi dhe mbështetja e të gjitha grupeve parlamentare”, u shpreh deputetja e Kuvendit të Kosovës.
Ajo gjithashtu potencoi nevojën për formimin e katër komisioneve të përhershme parlamentare, secila me numër të barabartë anëtarësh nga pozita dhe opozita, 5 nga secila palë.
“Duke qenë të vetëdijshëm se zgjedhjet janë zgjidhja më stabile për ngërçin aktual, duhet të jemi mendjehapur dhe të mos e rëndojmë stabilitetin financiar. Buxheti i vitit 2026 është përfshirë në agjendë dhe propozim për votim”, tha Kusari.
Në fund, Kusari u bëri thirrje deputetëve që të miratojnë pikat e rendit të ditës për të ofruar qytetarëve qetësinë e nevojshme para një procesi të ri zgjedhor.
“Nesër e kemi mundësinë të lehtësojmë edhe barrën e 700 punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, si dhe të gjejmë zgjidhje për buxhetin e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut. T’i miratojmë pikat e rendit të ditës dhe t’u ofrojmë qytetarëve qetësinë që u nevojitet”, ka shkruar Kusari.
Burimi: botasot.info


