Vizita e kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara, përfshirë takimet me zyrtarë të lartë dhe qëndrimin në Shtëpinë e Bardhë, është një sinjal i qartë për marrëdhëniet e Kosovës me aleatin e saj më të madh, SHBA-në.
Për disa, kjo vizitë duket si një kundërpërgjigje ndaj atyre që e akuzonin Kurtin për tensionimin e marrëdhënieve me Uashingtonin, duke treguar se Kosova vazhdon të mbetet një partner strategjik i besueshëm i Amerikës.
Takimet, dialogu dhe vizita në institucionin më të lartë të vendimmarrjes amerikane nuk janë vetëm një çast formal; ato dërgojnë një mesazh të fortë politik dhe diplomatik: pavarësia dhe konsolidimi i shtetit të Kosovës janë prioritet për Uashingtonin, ndërsa marrëdhënia me kryeministrin aktual është e qëndrueshme dhe funksionale.
E për këtë temë, për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi i cili tha se takimet që zhvilloi Kurti në SHBA ishin shumë të rëndësishme dhe se kritikat për këtë nuk qëndrojnë.

Ai komentoi edhe reagimet që pse Osmani dhe jo Kurti, mori pjesë në Bord të Paqes, derisa tha se kjo u sqarua nga presidentja, mirëpo kundërshtarët politikë synonin të krijonin një përçarje mes dy liderëve të shtetit.
“Për disa ditë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte në Forumin Ekonomik të Davos në Zvicër, forum ky më i rëndësishmi ndër forumet ekonomike që zhvillohen në botë. Ai foli në disa panele. Bëri takime të rëndësishme me personalitete të shumta pjesmarrës në këtë forum. Dhe shpalosi arritjet dhe shanset që krijon Kosova në bashkëpunimin ekonomik me partnerët ndërkombëtarë. Paraqitja e zotit Kurti në këtë Forum ishte mbresëlënëse, pavarësisht se ndonjë opozitar në Prishtinë reagoi me ironi kundër kësaj paraqitjeje. Së paku prezantimi i Kosovës nga ana e zotit Kurti në Forumin e Davos nuk mund të kritikohej e të kontestohet.
Pavarësisht kësaj medie afër opozitës në Kosovë përcollën kritika pakuptim, por shpotitëse. Në raste tjera u kritikua fakti se “Kosova ishte pa udhëheqës në shtëpi”, duke kritikuar faktin se presidentja dhe kryeministri ishin në Davos. Të tjerë komentuan se pse nuk ishte Kurti, por zonja Osmani në themelimin e Bordit të Paqes!!! Të gjitha këto intervenime kishin dhe kanë një synim: – Të nxisin një lloj armiqësie midis presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti. Ta bëjnë kryeministrin xheloz ndaj zonjës Osmani. Të zhvleftësojnë veprimtarinë e zotit Kurti në Forumin e Davos”, shtjelloi ai.
Krahas kësaj, Bytyçi analizoi edhe takimet e Kurtit në SHBA dhe pjesëmarrjen në panele të ndryshme, ku sipas tij e përfaqësoi Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ai përmendi edhe çështjet e aspektit të sigurisë që u diskutuan dhe mbështetjen që kryeministi mori nga Britania dhe aletatët më të ngushtë të Kosovës.
“Asnjë veprimtari nuk është perfekte. Por çdo ditë e Albin Kurtit në Davos ishte e mbushur me aktivitete. Ai foli në një panel në seancën kryesore dhe njoftoi pjesmarrësit e saj për arritjet e vendit të tij në ekonomi. U dëshmoi atyre se në Kosovë mund të investohet pa ngurim, pasiqë ajo është vendi më demokratik në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. I njoftoi pjesëmarrësit se Kosova është shtet ligjor dhe i së drejtës, ku korrupsioni dhe moszbatimi i ligjit është në nivele minimale, sidomos krahasuar me vendet e saj fqinje. Pjesmarrësit në Davos mësuan se në Kosovë nuk ka ligje klienteliste, por ligje që mbrojnë parimet, vendin dhe njëkohësisht investitorët.
Dhe jo vetëm kaq. Albin Kiurti foli në Davos për konsolidimin e paqes, si kusht i rritjes dhe qëndrueshmërisë ekonomike. U shpreh qartë për dallimet dhe se si këto duhen përdorur për progres dhe jo për konflikt. Kurti ishte i qartë në gjithçka që parashtroi dhe për mendimin tim krijoi besueshmëri te ndhekësit e tij në Forum. Ndërkaq kryeministri i Kosovës takoi në atë Forum kryeministra, ministra dhe personalitete të tjerë të shquar pjesmarrës. Në takimin e tij me këshilltarin e Sigurisë të kryeministrit britanik, Starmer, Jonathan Poëell, se “Mbretëria e Bashkuar vazhdon të jetë një nga aleatët më të ngushtë të Republikës së Kosovës dhe mirëpret vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”!”
Mirëpo, sipas profesorit aktivititeti më i rëndësishëm i Kurtit në SHBA ishtë ftesa për në Shtëpinë e Bardhë, derisa shtoi se pjesëmarrja e kryeministrit në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit ishte e nevojshme për të hedh poshtë akuzat dhe kritikat se Kosova nuk është partner i besueshëm i Amerikës.
“Por aktiviteti më i spikatur i tij ishte ftesa në Shtëpinë e ShBA-së në Davos për të marrë pjesë në një diskutim mbi besimin dhe udhëheqjen, në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të pavarësisë amerikane. Në këtë Shtëpi, kryeministri Kurti foli për nevojën e krijimit të besimit, si shtyllë kryesore e shërbimit, sakrificës dhe unitetit social. Veç tjerash ai idenë e krijimit të besimit e shoqëroi me përvojën e tij si i burgosur politik në Serbi gjatë luftës, si opozitar dhe deri te roli aktual si Kryeministër i Republikës së Kosovës.
Pjesëmarrja dhe paraqitja e kryeministrit të Kosovës në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit ishte e domosdoshme edhe për të shpërndarë mjergullën e krijuar për moskrijimin e institucioneve të vendit për muaj me radhë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit të vitit të kaluar. Ishte momenti dhe vendi i duhur për ta bërë këtë. Në këtë moment Kosova kishte dhe ka nevojë të performojë me shpejtësi dhe durim, me qëllim që të lihet pas gjithë ai destruktivizëm që u përdor për imazhin e saj vitin e kaluar. Sikur dhe për këtë arsye, pjesëmarrja dhe aktiviteti i kreut të ekzekutivit ishte i domosdoshëm dhe i arsyeshëm. Për këtë arsye ai jo njëherë e prezantoi Kosovën si një partner të besueshëm dhe si një destinacion tërheqës për investime, duke theksuar stabilitetin institucional dhe rritjen e vazhdueshme ekonomike të vendit të tij”, theksoi Bytyçi.
Në fund, ai shtoi se kjo vizitë e Kurtit në SHBA është e suksesshme dhe e dobishme për vendin.
Ai këtë e pa edhe si sinjal që Kurti dhe Osmani janë bashkëpunëtorëtë besueshëm për aleatët më të mëdhenj të Kosovës.
“Nga çdo pikëpamje që të analizohet, pjesëmarrja e Albin Kurtit në Forumin e Davos duhet konsideruar e sukseshme dhe e dobishme për Kosovën. Ftesa për zonjën Osmani për themelimin e Forumit të Paqes nuk e eklipson veprimtarinë e zotit Kurti në Davos. Të dy ata plotësojnë njëri-tjetrin dhe i japin frymë bashkëpunimit të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Ndërkaq ftesa për në Shtëpinë e SHBA-ve në kuadër të 250 vjetorit të themelimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është sinjal i qartë se Amerika e Madhe i njeh si partnerë dhe bashkëpunëtorëtë besueshëm të dy liderët kryesorë të Kosovës. Kjo është një arritje e madhe dhe e padiskutueshme. Nëse dikush nga opozita ose mediet e saj, apo ndpnjë mjekrrosh analist dëshiron të kundërtën, për inat të tyre nuk do të ndodhë që Kosova dhe lidershipi i saj i sotëm të dëmtojnë partneritetin dhe aleancën me SHBA-të e me Fuqitë kryesore të Europës!” – përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info


