Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar themelimin e një Gjykate Speciale për të hetuar dhe gjykuar vrasjen e civilëve boshnjakë me snajper në vitet e 90-ta.
Sipas tij, thuhet se rol në “Sarajevo safari” ka pasur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku për një shumë të hollash nga kodrat përreth Sarajevës mund të qëlloje boshnjakë civilë.
Kurti, në konferencën e dytë shkencore ndërkombëtare të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, tha se e ashtuquajtura “shtëpia e verdhë” për trafikim të organeve në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë dhe se e njëjta është pjesë e narrativës hibride të Serbisë kundër UÇK-së.
“E ashtuquajtura shtëpi e verdhë në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarët e UÇK-së, por është pjesë e narrativës hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë. Ajo është iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev, më 15 prill 2008, as dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Shtëpi të verdhë nuk ka, por ka gjithnjë e më shumë informacione dhe fakte se ka pasur ‘Sarajevo safari’, ku rol thuhet të ketë pasur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Për një shumë të hollash, nga kodrat përreth Sarajevës mund të qëlloje boshnjakë civilë me snajper në qytetin e rrethuar në fillim të viteve ’90. Për të hetuar dhe gjykuar krimet e ‘Sarajevo safari’ do të duhej të angazhohej ndonjë gjykatë speciale ndërkombëtare”, tha ai.
E në lidhje me këtë kërkesë të kryeministrit Kurti, në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka folur eksperti austriak, Gunther Fehlinger.
Sipas tij, ky propozim jo vetëm që është mjaft i qëlluar, por është vonuar shumë.
Për këtë, edhe ai bëri thirrje për një shqyrtim ligjor të të gjitha akuzave që lidhen me krime si “Sarajevo safari “.

“Propozimi i Kryeministrit Albin Kurti për të mbështetur krijimin e një Gjykate Speciale për të hetuar krimet kundër civilëve boshnjakë jo vetëm që është i justifikuar – por është vonuar shumë. Evropa nuk mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme ndërsa trashëgimia e dhunës nacionaliste nga vitet 1990 mbetet e rrethuar nga mohimi, relativizimi dhe rrjetet e mbrojtjes politike. Unë e mbështes fuqimisht këtë iniciativë dhe bëj thirrje për një shqyrtim ligjor pa kompromis të të gjitha akuzave që lidhen me krime të tilla si e ashtuquajtura “Sarajevo safari””, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Fehlinger potencoi faktin se si Vuçiq bashkë me Sheshin janë munduar për vite të tëra ta rishkruajnë historinë dhe të paraqiten si partner evropianë, gjë e cila tha se duhet të marrë fund.
Madje, për të themluar një Gjykatë Speciale të pavarur, eksperti vlerëson se Bosnja duhet të jetë e fortë dhe t’i bind ndërkombëtarët.
“Për dekada të tëra, figurat e lidhura me axhendën radikale nacionaliste të së kaluarës – përfshirë Aleksandar Vuçiçin dhe ish-mentorin e tij politik Vojislav Sheshel – janë përpjekur të rishkruajnë historinë duke u paraqitur si partnerë legjitimë evropianë. Kjo kontradiktë duhet të marrë fund më në fund. Ballkani nuk ka nevojë për udhëheqës që ndërtuan karrierën e tyre në hijen e retorikës ekstreme dhe propagandës së luftës; rajoni ka nevojë për llogaridhënie, transparencë dhe një ndarje vendimtare me politikën e viteve 1990.
Nëse Bosnja dhe Hercegovina krijon një Gjykatë Speciale, ajo duhet të jetë e fortë, e pavarur dhe e besueshme ndërkombëtarisht. Çdo individ — pavarësisht nga posti apo statusi — emri i të cilit shfaqet në akuza serioze duhet të përballet me hetim të paanshëm. Asnjë president, asnjë udhëheqës partie dhe asnjë ish-ideolog radikal nuk duhet të mbrohet nga shqyrtimi. Drejtësia për viktimat e Sarajevës nuk është anti-serbe; është pro-evropiane dhe pro-së vërtetës”.
Ndër të tjera, eksperti tregoi se si një gjykatë e tillë do e ndihmonte edhe Kosovën.
Për këtë, ai i dha të drejtë Kurtit në kërkesën e tij, pasi vlerëson se Specialja do zgjidhte problemet në Evropë.
“Një gjykatë e tillë do ta ndihmonte edhe Kosovën. Çdo proces gjyqësor i besueshëm që përballet me revizionizmin e kohës së luftës dobëson infrastrukturën politike që vazhdon të destabilizojë rajonin. Për sa kohë që rrjetet e trashëguara të ultranacionalizmit në stilin e Sheshelit mbeten me ndikim, pajtimi dhe integrimi në BE do të bllokohen. Një përgjigje e fortë ligjore do të tregonte se Evropa qëndron me viktimat, jo me ata që lavdëruan dhunën ose justifikuan agresionin.
Kryeministri Kurti ka të drejtë: Ballkani Perëndimor duhet të zgjedhë midis një të ardhmeje evropiane të bazuar në ligj dhe një të kaluare të përcaktuar nga pandëshkueshmëria. Krijimi i një Gjykate Speciale do të dërgonte një mesazh të qartë se epoka e mohimit ka mbaruar — dhe se ata që dikur promovonin axhenda ekstremiste nuk mund t’i shpëtojnë pafundësisht përgjegjësisë politike dhe morale në një Evropë që po ecën përpara”, përmbylli Gunther Fehlinger për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info

