Një drejtor muzeu është detyruar të japë dorëheqjen pasi kundërshtoi një kërkesë të Donald Trump për t’i dhuruar një shpatë nga koleksioni i muzeut, Mbretit Charles III, gjatë vizitës së fundit të presidentit amerikan në Britani, raportuan mediat amerikane.
Drejtori në largim i muzeut hodhi poshtë një kërkesë të Shtëpisë së Bardhë për t’i dhuruar një nga shpatat e Dwight Eisenhower Mbretit Charles III gjatë vizitës së fundit të presidentit të SHBA-së në Britani – një dhuratë që do të simbolizonte marrëdhënien e veçantë midis dy aleatëve.
Përpara se të bëhej president në vitin 1953, Eisenhower udhëhoqi forcat aleate kundër Gjermanisë naziste. Administrata Trump përfundimisht i dhuroi Mbretit Charles një kopje të shpatës.
Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) kërkoi koment nga një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, por nuk mori përgjigje.


