Zhvillimet e fundit në skenën politike të Kosovës kanë rikthyer tensionet mes institucioneve më të larta të shtetit, këtë herë pas veprimeve dhe deklaratave të presidentes Vjosa Osmani ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti. Ajo që deri dje konsiderohej një aleancë politike që kishte ardhur në pushtet mbi premtimin për ndryshim, sot po shndërrohet në një përplasje të hapur politike dhe institucionale.
Përplasjet u theksuan më shumë, veçanërisht pasi Lëvizja Vetëvendosje vendosi të mos e mbështesë më kandidimin e Osmanit për presidente, një vendim që në vend se të trajtohej si një zhvillim normal politik, u pasua me një ashpërsim të qëndrimeve të saj ndaj qeverisë.
Vendimi i presidentes për të dekretuar shpërndarjen e Kuvendit është interpretuar nga shumë persona si një veprim që rrezikon stabilitetin institucional dhe që mund ta fusë vendin në një krizë të panevojshme politike.
Në të njëjtën kohë, në debat është rikthyer edhe raporti i saj me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për të cilin ajo është kritikuar vazhdimisht nga kundërshtarët politikë. Sipas tyre, afrimi i Osmanit me Ramën dhe qëndrimet e fundit ndaj qeverisë Kurti kanë ngritur dyshime se pas këtij ndryshimi të qasjes mund të qëndrojnë edhe kalkulime të reja politike.
Në këtë situatë, natyrshëm lind pyetja nëse veprimet e fundit të presidentes janë në funksion të stabilitetit të vendit apo po e shtyjnë Kosovën drejt një përplasjeje të re politike në një moment kur vendi përballet me sfida të rëndësishme të brendshme dhe ndërkombëtare?
Mekuli: Egoja, luksi dhe thikat pas shpine – Shkëlqimi dhe rënia e Vjosa Osmanit
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli Gëzim Mekuli, njohës i shkencave të mediave dhe retorikës.

Së pari, ai u tregua kritik ndaj presidentes Osmani, derisa tha se po veprimet e saj të fundit, po tregojnë një epsh të qartë për pushtet dhe luks.
Madje, konsideron se pikërisht kjo e fundit, ka zgjedhur përçarjen në një kohë kur Kosova ka nevojë më së shumti për unitet.
“Ajo që po shohim sot nga Vjosa Osmani është një shfaqje e pastër e epshit për pushtet dhe luks, e mbështjellë me një ego që po tenton të gllabërojë çdo gjë para vetes. Osmani po sillet si një «kauboj i Teksasi» në mes të Prishtinës, duke përdorur një gjuhë të ashpër, të papërshtatshme, pa respekt për hierarkinë shtetërore dhe krejtësisht jodiplomatike.
Kjo nuk është thjesht një krizë komunikimi; ky është një komplot i heshtur ndaj stabilitetit të veriut të Kosovës. Kur një Kryetare shteti zgjedh të sulmojë Qeverinë e vendit të saj në sabah, dhe në momente më kyçe gjeopolitike, ajo nuk po bën opozitë; ajo po bën një «puç» moral dhe «komplot» politik mbi themelet e Kosovës. Ajo sot ka zgjedhur të jetë një element përçarës në një kohë kur bota po «ndizet» dhe Kosova ka nevojë për unitet si kurrë më parë. Dëmi tashmë është bërë dhe era e këtij tradhtimi institucional do të ndihet gjatë, shumë gjatë”.
Për këtë, Mekuli foli edhe mbi atë se çka ka ndikuar në këtë ndryshim të qasjes së Osmanit, e që sipas tij, rol kyç në këtë pikë ka ejta e saj për protagonizëm absolut.
Madje, beson se veprimet e saj po e deklasojnë atë si lidere, duke parë edhe reagimet që kanë ardh më pas, janë më të dëmshme se ato të opozitës.
“Unë nuk jam mbinjeri të kuptoj se çka dreqin ka ndikuar tek z. Osmani, por ndryshimi i saj vjen nga etja për protagonizëm absolut. Vërtetë ajo nuk ka ndryshuar, ajo ishte dhe është vetja e saj. Ajo duket se ushqen iluzionin se është një Margaret Thatcher ballkanike. Por këtu kemi një dallim rrënjësor: Thatcher ndikoi pozitivisht në politikë sepse forcoi shtetin britanik përmes parimeve të hekurta, ndërsa Osmani mendon se shteti bëhet me fotografi dhe villa luksoze, veshje të shtrenjta, butox dhe poza në rrjete sociale.
Nga këndvështrimi i shkencave politike, veprimet e saj e deklasojnë atë si lidere.
Ajo ka thyer parimin e unitetit institucional, duke u akorduar me qarqe të dyshimta që nuk e duan pavarësinë tonë. Shiko reagimin e Grenellit (ideologut të coptimit të Kosovës, ku ai jargitet dhe gëzohet për minimin e qeverisë së Kosovës) Kjo sjellje e saj është më e dëmshme se ajo e opozitës dhe medias së korruptuar të Kosovës; sepse ndërsa opozita manipulon dhe sulmon nga jashtë, Osmani po e minon kalanë nga brenda bash ashtu si veproi Hamza Kastrioti ndaj Gjergj Kastriotit – Skenderbeu. Po, tek kjo grua mungon tërësisht elementi human, empatia historike dhe patriotizmi shqiptar, duke u zëvendësuar nga një ego e ftohtë që nuk sheh asgjë tjetër para vetes përveç pasqyrimit të vetvetes dhe të një flamuri fantazmë «dardane» të shkëpurur nga identiteti shqiptar…”, shtjelloi ai.
Më tej, njohës i shkencave të mediave u ndal edhe te afërsia e Osmanit me Ramën, e që vlerëson se kjo ishte vula e devijimit politik të presidentes së Kosovës.
Sipas tij, me rreshtimin e saj krah Ramës, Osmani po e tradhton rrugëtimin tonë shtetformues, e gjë për të cilën duhet marrë në pyetje.
“Edi Rama nuk është Perëndia!
Gjithsesi afërsia e saj me Edi Ramën është «vula» e këtij devijimi politik. Rama ka treguar vazhdimisht se luan me letra të rrezikshme për Kosovën, duke u bërë «vëlla e mik» me Aleksandër Vuçiçin në dëm të interesave tona kombëtare dhe shtetërore: Ballkani i Hapur, Draft-statuti i Asociacionit, Gjykata një-etnike në Hagë, Diplomacia e «Pajtuesit»: ku dRama e shet Kosovën në tryezat ndërkombëtare për të rritur imazhin e tij si lider rajonal.
E Vjosa Osmani, duke u rreshtuar pas tij, po tradhton rrugëtimin tonë shtetformues. Ajo duhet pyetur urgjentisht: A e njeh ajo historinë e popullit shqiptar të parë nga syri serb? A ka dëgjuar ndonjëherë kjo «kauboje» për Memorandumin e Vaso Çubrilloviqit?
Dokumentet si ai i Çubrilloviqit synonin pikërisht përçarjen e shqiptarëve dhe krijimin e krizave të brendshme për të lehtësuar dominimin serb. Kur Osmani krijon përçarje kaq të thella mes institucioneve, ajo po zbaton pa vetëdije (ose me vetëdije të plotë) pikërisht atë që Beogradi i moçëm ka ëndërruar gjithmonë: një Kosovë të ndarë, të paunifikuar dhe të dobët. Paçka kur flasim për Memorandumin e Vaso Çubrilloviqit, duhet të jemi të rreptë: Strategjia serbe ka qenë gjithmonë «përçaj dhe sundo». Duke krijuar këtë hendek komploti mes Presidencës dhe Qeverisë, Osmani po i jep Serbisë pesqeshin më të madh që nga viti 2008. Ajo po dëshmon se nuk e njeh historinë e dhimbjes së popullit të saj, ose më keq, ka vendosur ta injorojë atë për hir të një karriere që kërkon ta ndërtojë mbi rrënojat e shtetit të plaçkitur të Kosovës”.
Më tej, ai tregoi se pse janë të dyshimta veprimet politike të Osmanit, e të cilat sipas tij, i kanë shkaktuar dëm të madh Kosovës.
“Duhet të nënvizoj se në këtë situatë gjeopolitike tejet të ndjeshme, veprimet e Vjosa Osmanit janë më shumë se dyshuese. Kur një Kryetare braktisë koordinimin shtetëror për të ndjekur agjendën (pa)krye-ministrit të Tiranës, që njihet për afërsinë me Serbinë, ajo e ka humbur legjitimitetin moral dhe politik. Ajo nuk e sheh më Kosovën si politikë e si diçka njerëzore, por sheh vetëm «lavdinë» e saj të rreme. E thashë më sipër dhe po e përsëris se, dëmi është i madh, dhe historia shqiptare do ta mbajë mend si udhëheqësen që preferoi pasqyrat dhe lartësitë e rreme para integritetit të vendit të saj”.
Ndër të tjera, ai komentoi edhe në aspektin e teorive të shkencave politike dhe psikologjisë së pushtetit, lidershipin e Osmanit e që sipas tij karakterizohet nga tri pika themelore.
“Për ta mbyllur këtë, duhet thënë troç: Ajo që po shohim te Vjosa Osmani sot është rasti shkollor i «Lidershipit Narcisist» në politikë. Sipas teorive të shkencave politike dhe psikologjisë së pushtetit, ky lloj lidershipi karakterizohet nga:
Megalomania e imazhit: Kur lideri beson se shteti është ai vetë (L’État, c’est moi), dhe çdo kritikë ndaj tij e sheh si sulm ndaj kombit.
Mungesa e empatisë Institucionale: Injorimi i pasojave që sjell përçarja e brendshme në raport me sigurinë kombëtare.
3. Etja për Admirim të Jashtëm: Turri për t’u dukur bukur në sytë e ndërkombëtarëve dhe “vëllezërve” si Edi Rama, duke sakrifikuar kohezionin e brendshëm.
Për mua, për shqiptarët e ndershëm e të pakorruptuar, për qytetarin e padjallëzuar, Vjosa Osmani ka kaluar vijën e kuqe; nga një «shpresë» politike, ajo tanimë është shndërruar në një kancer institucional. Me këtë gjuhë prej «kauboji», me këtë mungesë patriotizmi, njerëzillëku dhe me këtë afërsi të dyshimtë me qarqe që flirtojnë me Vuçiçin, ajo po e dëmton Kosovën.
E përsëris; dëmi tanimë është bërë, maskat kanë rënë, dhe tani Kosova duhet të zgjohet para se egoja e një gruaje (apo nesër i një burri) të bëhet gozhdë në arkivolin e Pavarësisë së (veriut) Kosovës”, përfundoi Gëzim Mekuli për “Bota sot”.
Vuniqi: Qëllimi për të manipuluar procesin kushtetues dhe për të kontaminuar procesin demokratik zgjedhor
Ndërsa, opinionisti Agim Vuniqi e potencoi faktin se zgjedhja e presidentit të vendit nuk është vetëm procedurë formale, por provë e integritetit institucional.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” përmendi dilemat që janë shfaq në procesin e fundit në Kosovë për zgjedhje të presidentit.
Sipas tij, ka dyshime se mospjesëmarrja e opozitës në seancë ka qenë në koordinim me presidenten.
“Në demokracitë parlamentare moderne, zgjedhja e presidentit nuk është vetëm një procedurë formale kushtetuese. Ajo është një provë e integritetit institucional të sistemit politik. Kur ky proces zhvillohet në mënyrë transparente dhe me pjesëmarrje të plotë parlamentare, legjitimiteti i institucionit të presidentit është i padiskutueshëm. Por kur procesi ndërtohet mbi kalkulime të fshehta dhe mungesa të koordinuara parlamentare, lind një pyetje e rëndë për demokracinë: a kemi të bëjmë me një procedurë kushtetuese apo me një manipulim të saj?
Rasti i zgjedhjes së presidentes në Kosovë ka hapur pikërisht këtë dilemë. Dyshimet se mospjesëmarrja e një pjese të opozitës në seancën vendimtare mund të ketë qenë rezultat i një koordinimi të heshtur me presidenten po and e bëjnë këtë proces një nga episodet më të diskutueshme të parlamentarizmit kosovar.
Nëse një dyshim i tillë do të konfirmohej, atëherë nuk do të kishim të bënim vetëm me një kalkulim politik, por me një deformim të drejtpërdrejtë të logjikës kushtetuese mbi të cilën funksionon republika parlamentare”.
Krahas kësaj, Vuniqi foli edhe për logjikën kushtetuese të zgjedhjes së presidentit, derisa ai sqaroi se si duhet të shkojë e gjithë procedura.
Në këtë pikë, ai u ndal edhe te fakti se si opozita shpesh zgjedh bojkotin për të vllokuar proceset në Kuvend.
“Kushtetuta e Kosovës e ka ndërtuar procedurën e zgjedhjes së presidentit mbi dy elemente thelbësore: kuorumin parlamentar dhe shumicën e votave. Kjo nuk është një formulë teknike e rastësishme. Ajo është një garanci që posti i presidentit të mos jetë produkt i një manipulimi procedural, por rezultat i një procesi parlamentar me pjesëmarrje të gjerë.
Në thelb, kuorumi është mekanizëm legjitimiteti.
Por kur ai krijohet përmes mungesës së qëllimshme të deputetëve, funksioni i tij mund të përmbyset. Në vend që të garantojë legjitimitetin, kuorumi mund të shndërrohet në një instrument të sofistikuar manipulimi politik.
Në praktikën parlamentare ndërkombëtare, opozita shpesh përdor bojkotin për të bllokuar një proces. Por rasti i Kosovës duket i ndryshëm: mungesa e opozitës nuk e bllokoi procesin, por paradoksalisht e bëri atë të minuar.
Ky është një paradoks që kërkon shpjegim politik dhe institucional”, tregoi ai.
Gjithashtu, opinionisti hodhi dyshime se mungesa e opozitës në seancën për zgjedhjen e presidentes ishte bërë me marrëveshje, e që vlerëson se kjo është e dëmshme për demokracinë parlamentare.
“Nëse mospjesëmarrja e opozitës ka qenë rezultat i një marrëveshjeje të heshtur me palën që përfitonte nga ajo mungesë, atëherë kemi të bëjmë me një formë të manipulimit institucional.
Në këtë rast, zgjedhja e presidentes nuk do të ishte rezultat i një përballjeje politike në Kuvend, por produkt i një konfigurimi të kalkuluar të mungesave parlamentare.
Një praktikë e tillë do të ishte jashtëzakonisht problematike për çdo demokraci parlamentare, sepse do të krijonte një precedent të rrezikshëm: institucionet mund të ndërtohen jo mbi votën reale të deputetëve, por mbi inxhinieri procedural”.
Në vazhdim, ai potencoi se problemi nuk është vetëm politik, por edhe juridic.
Ai përmendi disa dispozita ligjore, ku në sisteme juridike veprimet e koordinuara mes partive mund të interpretohen si keqpërdorim i funksionit publik.
“Çështja nuk është vetëm politike. Ajo potencialisht mund të ketë edhe dimension juridik.
Kodi Penal i Kosovës parasheh dispozita që lidhen me cenimin e rendit kushtetues dhe funksionimit të institucioneve shtetërore. Në shumë sisteme juridike, veprimet e koordinuara që synojnë të deformojnë funksionimin normal të institucioneve mund të interpretohen si keqpërdorim i funksionit publik
Natyrisht, për të arritur në një përfundim penal duhet të provohen disa elemente themelore: ekzistenca e një marrëveshjeje të fshehtë politike, qëllimi për të manipuluar procesin kushtetues, dhe ndikimi konkret i kësaj marrëveshjeje në rezultatin institucional.
Pa prova të qarta për një koordinim të tillë, çështja mbetet në planin e përgjegjësisë politike. Por edhe përgjegjësia politike në këtë rast është e rëndë”.
Tutje, Vuniqi shtjelloi se, dyshimet janë edhe për një skenar politik më të gjerë.
Në këtë rast, përmendi mundësinë që presidentja të ketë kërkuar edhe rrugë të tjera politike për të siguruar edhe një mandat tjetër, derisa këtu përmendi edhe mundësinë e ndikimit të politikanëve nga Shqipëria.
“Debati nuk ndalet vetëm te momenti procedural i zgjedhjes së presidentes. Në diskursin politik kosovar janë shfaqur dyshime se pas kësaj dinamike mund të fshihet një skenar më i gjerë politik.
Presidentja kishte shprehur publikisht ambicien për një mandat të ri. Në të njëjtën kohë, sipas disa interpretimeve politike, ajo kishte refuzuar një ofertë të mundshme nga shumica qeverisëse për ta mbështetur kandidaturën e saj në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes votës së nevojshme në Kuvend.
Kjo ka ushqyer spekulimet se presidentja mund të ketë kërkuar një rrugë alternative politike: sigurimin e mbështetjes indirekte përmes një konfigurimi të ri parlamentar ku votat e opozitës dhe të Listës Serbe do të luanin rol vendimtar.
Nëse një skenar i tillë do të ishte i vërtetë, atëherë mospjesëmarrja fillestare e opozitës në Kuvend mund të interpretohej si faza e parë e një strategjie më të gjerë për destabilizimin e konfigurimit aktual qeverisës.
Në këtë kontekst, disa analistë kanë përmendur edhe faktorë të jashtëm politikë që ndikojnë në diskursin rajonal, përfshirë ndikimin e aktorëve politikë në Tiranë apo deklaratat e disa figurave ndërkombëtare në rrjete sociale. Megjithatë, këto mbeten hipoteza politike që kërkojnë verifikim serioz dhe nuk mund të trajtohen si fakte pa prova të qarta”.
Në fund, opinionisti shtoi se, e gjithë kjo situatë e krijuar nxit një krizë të besimit institucional dhe dëmton rëndë demokracinë parlamentare.
Po ashtu, vlerëson se po bëhet një deformim i frymës së Kushtetutës, e që sipas tij kjo përbën një alarm serioz për funksionimin e demokracisë në Kosovë.
“Problemi më i madh që krijon një situatë e tillë nuk është vetëm zgjedhja e një presidenti, por dëmtimi i besimit publik në demokraci.
Në një republikë të re si Kosova, institucionet ende janë në proces konsolidimi. Kur qytetarët krijojnë perceptimin se proceset kushtetuese mund të manipulohen përmes marrëveshjeve të fshehta midis kundërshtarëve politikë, legjitimiteti i sistemit fillon të dobësohet.
Demokracia parlamentare funksionon mbi një parim të thjeshtë: konkurrencë të hapur politike dhe transparencë procedurale.
Kur rezultati i një procesi institucional duket se është vendosur paraprakisht përmes kalkulimeve të padukshme, parlamenti rrezikon të humbasë rolin e tij si institucion përfaqësues i vullnetit qytetar.
Andaj debati nuk është vetëm për presidenten debati është për përpjekje të kontaminimit te procesit zgjedhor.
Prandaj pyetja që mbetet është thelbësore për demokracinë kosovare: a ishte mospjesëmarrja e opozitës një bojkot i sinqertë politik, apo një marrëveshje e heshtur që i hapi rrugë rrënimit të procesit zgjedhor, për të mbijetuar në politikë presidentja në ikje?
Nëse përgjigjja është kjo e fundit, atëherë kemi të bëjmë me një precedent që shkon përtej një episodi politik. Kemi të bëjmë me një deformim të vetë frymës së Kushtetutës – dhe me një alarm serioz për funksionimin e demokracisë në Kosovë”, përmbylli Agim Vuniqi për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info


