kuci kerkon perfshirjen e eksperteve ne strategjine per specialen kosova nuk duhet te rrije pasive 6ad7ae4233f6f

Kuçi kërkon përfshirjen e ekspertëve në strategjinë për Specialen: Kosova nuk duhet të rrijë pasive

October 20, 2026
min lexim

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi ka kritikuar Gjykatën Speciale në Hagë, duke ngritur shqetësime për transparencën e saj, trajtimin e ankesave dhe kompetencat e gjera që i janë dhënë kësaj gjykate.

Kuçi ka thënë se deri më tani Gjykata Speciale nuk është treguar transparente në vendimet e saj, duke përmendur vonesat në publikimin e dokumenteve përfundimtare të aktgjykimit dhe mënyrën e trajtimit të ankesave.

Sipas tij, kësaj gjykate i janë dhënë kompetenca të mëdha kushtetuese dhe ligjore, duke i mundësuar të funksionojë pothuajse krejtësisht e pavarur nga Kosova.

“Gjykata Speciale deri më tani nuk është treguar që ka ndonjë proces shumë transparent në vendimet e saj, pra edhe vet vonesa në publikimin e gjykimit përfundimtar, dosjes përfundimtare në aktgjykimin dhe po ashtu edhe në procesin ku ata pothuajse në asnjë ankesë të vetme po thuajse nuk e kanë pasur parasysh”, ka deklaruar Kuçi në emisionin “Ditari”.

Megjithatë, ai ka theksuar se kjo nuk nënkupton që institucionet e Kosovës duhet të qëndrojnë pasive ndaj vendimeve që i konsiderojnë të padrejta.

“Fatkeqësi është se asaj Gjykate i janë dhënë kompetenca aq të mëdha, aq shumë kompetenca në formë kushtetuese dhe ligjore, sa të funksionojë në një formë pothuajse të pavarur krejtësisht nga Kosova, por kjo nuk nënkupton që Kosova tashmë duhet të rrijë pasive, të mos reagojë ndaj vendimeve të padrejta dhe po ashtu të mos marrë masa ligjore, kushtetuese dhe masa të cilat kanë të bëjnë me vendimet e saj dhe përgjigjet në apel”, ka deklaruar Kuçi.

Ai ka kritikuar edhe kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke vlerësuar se reagimet e saj kanë qenë më shumë të natyrës propagandistike sesa juridike.

“Deri më tani, Trendafilova ka bërë më shumë reagime të stilit propagandistik sesa të stilit juridik”, ka thënë Kuçi.

Profesori ka propozuar që Oda e Avokatëve të Kosovës të marrë rol më të madh në organizimin dhe hartimin e strategjisë për çështjet që lidhen me Gjykatën Speciale, duke argumentuar se aty janë të përfshirë juristë me njohuri dhe përvojë profesionale.

Sipas tij, grupi punues strategjik duhet të përfaqësohet më shumë nga ekspertë të fushës, ndërsa përfaqësuesit politikë duhet të mbështeten nga grupe ekspertësh që do të shërbenin si këshilltarë.

Kuçi ka theksuar se përballja me zhvillimet në Gjykatën Speciale kërkon përgatitje serioze juridike dhe ekspertizë profesionale, krahas angazhimit institucional dhe politik.

“Oda e Avokatëve të Kosovës do duhej ta merrte një organizim të tillë,aty janë juristët më të mirë që i mbledh të gjithë juristët e Kosovës, ata të cilët e njohin fushën. Tash e kemi parë që deputet nuk është i gjithëdijshëm dhe si tillë merren këshilltarë dhe grupet e ekspertëve, si i tillë ky grup punues strategjik do duhej të përfaqësohej më shumë nga ekspertë ose të paktën edhe nëse ka përfaqësues politik të jetë i angazhuar në formën ku ka grupe të ekspertëve të cilët janë grupe këshillëdhënëse të paktën”, tha ai.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

sali tetova do te kete biblioteke universitare miratohet vendimi ne qeveri 6ad7ade15db25
Lajmi i mëparshëm

Sali: Tetova do të ketë Bibliotekë Universitare, miratohet vendimi në Qeveri

automjetet e policise futen ne sheshin skenderbej protestuesit marshim ne rruget e tiranes 6ad7ae9d6f054
Lajmi i radhës

Automjetet e policisë futen në sheshin “Skëndërbej”, protestuesit marshim në rrugët e Tiranës

Të fundit nga

ShkoLartë