10
Shkup, 21 korrik – Vendimi për ndërprerjen e funksionit dhe shkarkimin e kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) është në kompetencë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përputhje me Ligjin për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave. Siç theksohet në kumtesën e sotme nga KSHPK-ja, dhënia e dorëheqjes si akt moral është vendim dhe e drejtë e vet kryetares së Komisionit.
“Duke marrë parasysh se në këtë rast konkret bëhet fjalë për përgjegjësi individuale, Komisioni shtetëror po punon dhe do të vazhdojë të punojë dhe të ushtrojë kompetencat e tij të përcaktuara me Ligjin për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit”, thonë nga KSHPK.
Megjithatë, siç thuhet në kumtesë, në interes të punës së papenguar dhe funksionimit të qetë dhe arritjes me sukses të qëllimit dhe kompetencave të Komisionit Shtetëror, nga KSHPK-ja vlerësojnë se është jashtëzakonisht me rëndësi që Komisioni të funksionojë në përbërje të plotë.
Nga KSHPK-ja informojnë se kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, në përputhje me masat e shqiptuara nga gjykata kompetente, në periudhën e kaluar nuk ka ardhur në punë.
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, më 18 korrik të këtij viti, ngriti aktakuzë kundër kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Tatjana Dimitrovska, e cila dyshohet se në periudhën nga maji deri në dhjetor të vitit 2024, nga një person i paftuar, i akuzuar për lëndën “Aditiv”, i ka mundësuar në dispozicion të dhëna të cilat konsiderohen për sekret zyrtar. Njëkohësisht, Dimitrovska akuzohet dhe për marrjen e paligjshme të çertifikatës për informata të klasifikuara.
Burimi: zhurnal.mk


