355 delegatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhen sot për të diskutuar për ofrimin e dorëheqjes së kryetarit, Lumir Abdixhiku. Se a do të kalojë apo jo votëbesimi ndaj këtij të fundit dhe a do të hapet rruga për lidership të ri ka ende paqartësi.
Kuvendi nis në orën 12:00 në njërën nga hotelet në Prishtinë.
Megjithëse Kuvendi është thirrur vetëm për votëbesimin ndaj Abdixhikut, anëtari i Kryesisë së LDK-së, ish-kryeministri Avdullah Hoti, shpalli kandidaturën e tij për kryetar të kësaj partie më 25 janar.
Hoti është zotuar se nëse merr besimin për ta udhëhequr LDK-në, do të drejtojë një proces gjithëpërfshirës dhe transparent, në përputhje të plotë me Statutin e partisë, duke garantuar pjesëmarrje aktive të të gjitha strukturave dhe forumeve.
Ai ka theksuar se synimi i tij është ndërtimi i një LDK-je të hapur, të drejtë dhe konkurruese, ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim, me fokus të veçantë në përfshirjen e profesionistëve, grave dhe të rinjve.
Ambicie të tilla janë konsideruar legjitime nga bashkëpartiakë të Hotit, megjithatë theksojnë se ky është një proces tjetër që derivon nga vota pro apo kundër Abdixhikut.
Kurse, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka deklaruar se nuk ka dashur të involvohet në debatet publike lidhur me rezultatin zgjedhor dhe zhvillimet aktuale brenda LDK-së, duke theksuar se përgjegjësia për rezultatet është çështje etike dhe duhet të trajtohet brenda organeve vendimmarrëse të partisë.
Sipas Mustafës, Kuvendi i LDK-së, si organi më i lartë vendimmarrës, duhet të garantojë orientimin e qartë ideologjik të partisë si subjekt konservator i qendrës së djathtë me orientim të palëkundur euroatlantik, si dhe të shmangë përdorimin e LDK-së si platformë për interesa të tjera politike.
“Në LDK askush nuk është i tepërt. Përgjegjësia duhet të trajtohet si standard normal i etikës demokratike, ku rezultati ka pasojë,” ka përfunduar Mustafa.
Përndryshe, anëtarët e kryesisë së LDK-së kanë thënë se edhe Ismet Beqiri ka paralajmëruar se sot në Kuvend do ta bëjë publike kandidaturën e tij për kryetar.
Burimi: botasot.info

